Publikohen fotot, si u vra Bardhyl Tusha në burgun e Koridhalos

CNN-i grek ka publikuar fotot e shenjave të dhunës në trupin e 34-vjeçarit shqiptar Bandiol Tusha alias Bardhyl Tusha, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Koridhalos në Greqi më 27 Janar 2019.

Vdekja e 34-vjeçarit fillimisht u konsiderua e shkaktuar nga mbidoza. Por pas ekspertizës mjeko-ligjore, u arrit në konkluzionin se Bardhyl Tusha ishte mbytur. Në fotot që ka publikuar CNN-i grek, duken shenjat e dhunës së ushtruar ndaj shqiptarit. Në raportin e mjekut ligjor, evidentohet se viktimës fillimisht i është zënë goja dhe hunda për të mos marrë frymë, e më pas autori i ka vendosur dorën në fyt duke e mbytur.

Sipas mediave greke, Bardhyl Tusha ka qenë pjesë e “Mafies së burgjeve”. Shtypi i Athinës raporton se 34-vjeçari u kishte ofruar strehim dy të dyshuarve për vrasjen e avokatit grek Mixaleis Zafeiropoulos. Për shkak të hetimit kompleks të kësaj dosje, hetuesit dyshojnë se u dha urdhri për vrasjen e Bardhyl Tushës, në mënyrë që ky i fundit të mos fliste.

Disa ditë para se të vritej, në një dëshmi që kishte dhënë për hetuesit, Tusha kishte thënë: “Isha i frikësuar sepse më vendosën në të njëjtin sektor dhe në të njëjtën dhomë ku ishin M. dhe K. (emrat e drejtuesve të “Mafias së burgut” të Koridhalos). Nuk i njihja, por kur policia më kërkoi që t’i përshkruaja, u tregova fotot e tyre. Isha në të njëjtën dhomë me ta dhe kisha frikë në çfarë do të përfshihesha”.

Për autoritetet greke, çështja e Bardhyl Tushës konsiderohet vrasje dhe jo vdekje e shkaktuar nga përdorimi i lëndëve narkotike. Hetimet për këtë çështje janë në vijim, megjithatë ende nuk është zbuluar personi që ka kryer krimin./tvklan.al