Punimet në Tiranë-Ndroq-Plepa, Balluku: Rrisim sigurinë rrugore

Në aksin rrugor Tiranë-Ndroq-Plepa është duke u punuar me intensitet për ta bërë këtë aks më lehtë të aksesueshëm për të gjithë përdoruesit e rrugës. Përgjatë gjithë gjatësisë së këtij segmenti, që nis nga dalja e Tiranës, është ndërhyrë për të bërë të mundur rehabilitimin e pjesëve të amortizuara si dhe pajisjen e saj me sinjalistikën e nevojshme me qëllim rritjen e sigurisë rrugore përgjatë gjithë segmentit.

Ecuria e punimeve u ndoq nga afër nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e  Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho.

Kreu i ARRSH-së në detyrë, bëri të ditur se ndërhyrja në këtë segment erdhi pas amortizimit të disa pjesëve të këtij segmenti duke shtuar se ky investim po bëhet i mundur në saj të fondit të mirëmbajtjes të akorduar nga Banka Botërore. “Rruga Tiranë-Ndroq-Plepa ka nisur si rezultat i përkeqësimit të tepërt të kësaj rruge. U munduam që nga mirëmbajtja rutinore nga Drejtoria Rajonale ta kalonim në mirëmbajtjen e Bankës Botërore me performancë.  Është akorduar një fond 900 mijë euro ku nga ato 500 mijë euro janë ndërhyrje të thella në zonat ku gjeologjia dhe asfalti ka qenë i dobët”, tha Verdho.

Për drejtuesin e projekteve të Bankës Botërore, fokusi i kësaj ndërhyrjeje është rritja e sigurisë rrugore përmes vendosjes së të gjithë elementëve  të nevojshëm. “Fokusi kryesor është në rritjen e sigurisë rrugore sepse edhe riparimet asfaltike që këtu janë bërë  janë në funksion të kësaj. Plotësimi me sinjalistikë vertikale dhe horizontale, këto rrisin elementët e sigurisë gjë që është dhe një nga prioritetet, jo vetëm të projektit tonë, por edhe një  direktivë nga Qeveria Shqiptare e cila e ka në vitet e ardhshme si një nga prioritetet kryesore e cila zbatohet edhe nga ARRSH në rastin konkret”, u shpreh Klodian Sava.

Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin e mirëmbajtjes së këtij aksi rrugor, Ministrja Belinda Balluku tha se zona të cilën përshkon rruga Tiranë-Ndroq-Plepa është një zonë ku turizmi ka marrë një vëmendje të shtuar pasi ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë biznesesh kryesisht në agrikulturë.

“Aksi Tiranë – Ndroq – Plepa është një aks i rëndësishëm për zhvillimin e agrikulturës në këtë zonë. Zona e Ndroqit ka qenë një nga nismëtaret e zhvillimit të bujtinave, të agrikulturës, të prodhimeve bio, kështu që kjo është një rrugë që qytetarët, qoftë të Tiranës dhe Durrësit, apo dhe qytetarë të tjerë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, e përdorin edhe për këtë lloj turizmi ndaj është shumë e rëndësishme. Për më tepër, të gjitha rrugët ndihmëse që lidhin qytetin e Tiranës me qytetin e Durrësit, pavarësisht autostradës që ne kemi, janë shumë të rëndësishme dhe duhen mirëmbajtur”, theksoi Balluku.