fbpx

“Qytetarët kanë blerë zarzavatet 18,5% më shtrenjtë gjatë muajit tetor”, INSTAT: Ndikuan në rritjen e inflacionit

treguok-750x500.jpg

Çmimet e zarzavateve dhe të frutave kanë pësuar një shtrenjtim të ndjeshëm në muajin tetor. Sipas raportit të INSTAT qytetarët në muajin e kaluar i kanë blerë zarzavatet përfshirë edhe patatet 18,5 %, më shtrenjtë se një vit më parë, dhe frutat 11.5% më shtrenjtë. Rritje kanë shënuar edhe çmimet e produkteve të tjera si vajra dhe yndyra” me 4,7 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata, ëmbëlsira” me 2,6 %, dhe produktet e peshkut me 2,3 %.

Referuar të dhënave në total grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ka pësuar një rritje prej 4.9%. Ky shtrenjtim ka dhënë edhe impaktin më të madh në rritjen e inflacionit në tetor, i cili arriti në 2%, duke u përmirësuar për herë të parë pas karantinës në muajin maj, ku inflacioni u luhat në nivelin e 2.1%.

Në muajin shtator inflacioni ishte 1.5%, pra çmimet janë shtrenjtuar më shumë muajin që lamë pas. Inflacioni në vitin e kaluar në të njëjtin muaj ishte 1.3%, kohë kur vendi nuk po përjetonte një krizë të tillë, dhe as nuk kishte ndodhur goditja e tërmetit të nëntorit.

Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 4,3 %, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,8 %, “Shëndeti” me 0,4 % dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,3 %.  Por përsëri kjo rritje e inflacionit është larg objektivit të Bankës së Shqipërisë, e cila pret që në vitin 2022 inflacioni të arrij në 3%.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303