Një luftë deklaratash kundërdeklaratash po zhvillohet mes PD-së dhe Ministrisë së Arsimit, sa i përket tarifave studentore.
Pas akuzave se “për këtë vit akademik pra nuk ka as përgjysmim për bachelorin, siç u premtua e as rishikim të tarifave të masterit”, ka arfdhur reagimi i Ministrisë së Arsimit.
“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) informon studentët se qeveria shqiptare do të vazhdojë të subvencionojë tarifat dhe bursat edhe për vitin e ardhshëm akademik 2019-2020. Tarifat mbesin, por subvencionimi nga ana jonë nuk do të ndalet në mënyrë që t’u vihet në ndihmë studentëve shqiptarë, ashtu sikurse është zotuar në kuadër të “Paktit për Universitetin”, thuhej në deklaratën e Ministrisë.
Por, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka reaguar sërish, duke thënë se tarifat e studentëve kanë mbetur dhe minstria ka sfiduar hapur studentët.
“Ministria mashtron, kur thotë se subvencionoi vjet 2.3 miliard lekë paketë financiare.
Lekët e vjetshme iu morën me dhunë universiteteve, duke i lënë pa investime, funksione e shërbime, sepse buxheti për arsimin e Lartë as u rishikua e as ndryshoi”, shkruan Boçi.

