Ish-deputeti i PD-së, Ervin Salianji akuzoi sërish sot kryeministrin Edi Rama se po mbyll sytë para prova të pakundërshtueshme sipas tij, të publikuara për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku.
“Me gjithë këto prova të pakundërshtueshme, Kajmaku i Rilindjes fshihet pas rreshtave të mashtrimit të Edi Ramës, i cili me kodin mafioz të heshtjes, mbron të inkriminuarin me të cilin është ulur në sofrën e pushtetit. Edi Rama prej 10 ditësh nuk ka thënë asnjë fjalë për mollën e kalbur nxjerrë nga shporta e krimit që mban në dorë.” tha Salianji në një dalje për mediat.
Ndër të tjera, ish deputeti demokrat akuzoi prokurorinë se i kërkon llogari Partisë Demokratike për Kajmakun por nuk “sheh” provat në sistemin TIMS.
“Të dhënat e sistemit TIMS rrëzuan çdo alibi apo përpjekje të Ramës për të gënjyer, duke provuar se Agim Kajmaku është personi i arrestuar në Greqi si Jorgo Toto nën akuzën e trafikimit të parave të falsifikuara. Prokuroria hesht dhe në vend të fletës së arrestit për Kajmakun, nis letra për Partinë Demokratike duke i kërkuar provat që i ka në sistemin TIMS. Prokuroria nuk zbaton kodin penal dhe ligjin e dekriminalizimit për të vënë para drejtësisë të kërkuarin në Greqi, i cili ka trafikuar para të falsifikuara dhe mashtruar në formularin e dekriminalizimit. – vijoi më tej Salianji.
![]()



