fbpx

Rama pas takimit me liderët e Ballkanit: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Europë

EDI-RAMA-1-1.jpg

Së fundmi gjatë intervistës së dhënë për mediat pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për kërkesën e Kosovës për në Këshillin e Europës, duke shprehur hapur mbështetjen e tij.

– Përpara darkës së mbrëmshme presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç deklaroi për mediat e tij që e shoqëronin se Serbia do të rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin e Europës. Shqipëria ka një qëndrim në lidhje me këtë? Cila do të jetë vota e saj?

Kryeministri Edi Rama: Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të pasur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!

Kryeministra ka folur edhe për Malin e Zi që t’i bashkohet “Open Balkan”.

Pyetje: Pas Serbisë z. Kryeministër dhe nga Maqedonia po importojmë mallra. A tregon kjo që “Open Balkan” po funksionon dhe çfarë pritet të ndodhë me Malin e Zi? Pak më herët në një konferencë për shtyp më konfirmuat ftesën që ju i keni bërë kryeministrit shqiptar të zgjedhur të Malit të Zi, cili do jetë qëndrimi i këtij vendi?

Kryeministri Edi Rama: Ballkani i Hapur funksionon dhe do funksionojë gjithmonë e më mirë. Tani ne presim që edhe Mali i Zi t’i bashkohet, domethënë është çështje kohe, unë e kam thënë gjithmonë, është çështje kohe që t’i bashkohen të gjithë në fakt se nuk ka ku shkon tjetër kjo punë përveçse tek kooperimi, tek bashkëpunimi, kështu që sigurisht që është humbje kohe patjetër për ata që ngurojnë apo refuzojnë të bashkohen, por ne nuk kemi kohë për të humbur.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303