Ish ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ në lidhje me Raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
KE ka publikuar një raport ku tregon se Shqipëria është shteti me rritjen më të lartë ekonomike dhe papunësinë më të ulët në rajon në dy vitet në vijim.
“Lajmi i parë i mirë është se Shqipëria është një nga dy vendet e rajonit (së bashku me Malin e Zi) që kanë vazhduar rritjen pozitive të ekonomisë edhe përgjatë tremujorit të tretë 2018, në një kohë që vendet e tjera dhe mesatarja e rajonit shënojnë rënie”, shkruan Ahmetaj.
“Punësimi për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është përshpejtuar në 26% krahasuar me një vit më parë, ndërsa papunësia për këtë grupmoshë ka vijuar trendin rënës nga piku prej 34% i vitit 2015. Pagat në sektorin privat vlerësohet të jenë rritur me një mesatare plus 15 pikë në të gjithë sektorët, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë”, shkruhet në njoftim.
Së fundmi, Ahmetaj thekson se raporti tejet pozitiv i Komisionit Europian për ekonominë shqiptare, është një tjetër reflektim serioz për arritjet jo pak të vështira të viteve të fundit.
Ish ministri theksoi se sfida kryesore mbetet vazhdimi i reformave dhe konsolidimit fiskal, për të garantuar jo vetëm vazhdimin e rritjes ekonomike dhe punësimit, por edhe përgjigjen e duhur ndaj riskut të ngadalësimit të rajonit dhe ekonomive të BE./real-news.tv


