Reshje e dendura në vend, paralajmëron qeveria: Kini kujdes

Në një njoftim zyrtar ministria shkruan se institucionet në varësi të saj kanë kaluar në gjendje gatishmërie të plotë, pasi reshjet më të dendura priten nga mbrëmja e së mërkurës dhe përgjatë gjithë ditës së enjte. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës ka paralajmëruar të gjithë qytetarët që të bëjnë kujdes në tre ditët në vijim pasi do të ketë reshje të shumta dhe përmbytje.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës:

MIE dhe institucionet e varësisë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat që mund të krijohen nga moti i keq i 3 ditëve të ardhshme

Nisur nga raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, të cilat flasin për një mot shumë të vështirë, me reshje të dendura, erë të fortë dhe rreziqe për përmbytje në tre ditët në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë kanë kaluar në gjendje gatishmërie të plotë.

Sipas parashikimeve priten reshje shumë intensive (më shumë se 90 mm/ 24 orë) në pothuajse të gjithë territorin, gjatë natës së të mërkurës dhe gjithë ditën e enjte. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.

Ditën e premte, datë 8 nëntor, pritet një rënie e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin, të cilat do të arrijnë nivelin 45-90 mm/24 orë, ndërsa ditën e shtunë datë 9 nëntor priten reshje të dobëta në të gjithë vendin 15mm/24 orë.

Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se përgjatë fundit të ditës së mërkurë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve do të rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin.

Në këto kushte të gjitha institucionet e varësisë së MIE janë duke marrë masat e duhura për të siguruar shërbimet bazë ndaj qytetarëve si dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë në çdo rast që do të kenë nevojë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar, së bashku me kompanitë kontraktore të mirëmbatjtes së rrugëve po monitoron pa ndërprerje situatën, për të ndërhyrë në çdo rast të bllokimit të mundshëm të rrugëve, si nga vërshimi i ujit, ashtu edhe nga rënia e inerteve në rrugë.

Ndërkohë që institucionet e sistemit energjetik, OST, OSHEE dhe KESH janë vënë në gadishmëri për të ndërhyrë në çdo rast që do të ketë stakime apo dëmtime të linjave të furnizimit me energji elektrike.

Në gatishmëri janë edhe Aviacioni Civil si dhe Portet detare të vendit, të cilat që gjatë ditës së sotme janë përballur me situata të vështira, për shkak të detit të trazuar dhe me shumë ballë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë fton qytetarët që për çdo rast rreziku apo vështirësie të njoftojnë përmes numrit unik të emergjencave 112, si dhe numrave përkatës të strukturat tona:

OSHEE 04 227 41 41

ARRSH 067 39 82 866

DPSHTRR 068 80 15 833

Reshje te dendura shiu përfshinë këtë të mërkurë territorin e Shqipërisë duke shkaktuar përmbytje të shumta në disa qytete, Lezhë, Durrës dhe Tiranë. Disa rrugë kryesore të qytetit të Durrësit u përmbytën vetëm pas 30 minutave reshje ndonëse dy ditë më parë kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza u pastruan nga ndërmarrja në varësi të ujësjellësit.

Rrugët u kthyen në të pakalueshme edhe në Lezhë ku pati përmbytje në disa lagje ndërsa në bregdet pati stuhi detare ku për pasojë në Vlorë u shtynë udhëtimet e trageteve drejt Italisë.