Rifillojnë deponimet kundër Sali Berishës, flet avokati i Izet Haxhisë

Idajet Beqiri, që është avokati i Izet Haxhisë deklaron se klienti i tij do të rifillojë deponimet kundër Sali Berishës, pasi tashmë ai së bashku me të fejuarën e tij po mbrohen nga shtetit në pritje të marrjes së statusit të dëshmitarit të mbrojtur të drejtësisë. Ndërkohë që ka nisur një hetim për grupin e policëve që shoqëronin Izet Haxhinë më 9 tetor.

Izet Haxhia i ka kallëzuar, veçanërisht shefin e grupit te shoqërimit me origjinë nga Tropoja, për një aksident të qëllimshëm të makinës teksa ai transportohej me pranga në duar nga burgu 302 në rrugën Mine Peza për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Beqiri ka treguar se gjatë dhënies së dëshmisë, Haxhia ka rritur akuzat ndaj Berishës, nga 23 që ishin në dhjetor 2018 në 30 të tilla.

Por kush janë krimet të cilat Izet Haxhia akuzon Sali Berishën? Në padi, Izet Haxhia pretendon se Sali Berisha e ka urdhëruar atë për të bombarduar Ambasadën amerikane në Tiranë, eliminimin e Azem Hajdarit, firmat piramidale. Gjithashtu sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Sabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë, por edhe shumë çështje të tjera.

Përpos padisë për Sali Berishën ku filloi deponimet, Izet Haxhia është edhe në një tjetër proces, për vrasjen e Azem Hajdarit ku fitoi të drejtën e rigjykimit, pasi u dënua në mungesë me 25 vite burg, por institucionet po bëjnë ping-pong me këtë dosje duke e kaluar nga njëra shkallë e drejtësisë te tjera dhe në fund u dërgua në Gjykatën e Lartë që të vendosë se ku duhet të gjykohet.