Schieb: Po bëjmë çdo gjë që të ripërtërihet dialogu Kosovë – Serbi

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, ka deklaruar se po bëhet çdo gjë që të ripërtërihet dialogu ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe që, për këtë arsye është me rëndësi që të mos ngrihen tensione, përkatësisht që të dy vendet të jenë konstruktive.

“Bashkimi Evropian, shefi ynë i diplomacisë dhe Qeveria jonë kërkojnë tërheqjen e taksës dhe shpresojmë se progresi do të arrihet shpejt. Jemi optimistë se ripërtëritja e dialogut është mundshme”, ka thënë Schieb për “Veçernje novosti”.

Sipas Schieb, nuk ka afate të BE-së se kur pritet të arrihet marrëveshja ndërmjet Serbisë e Kosovës.

“Do të dëshironim që të dy palët të pajtohen rreth marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme që do t’i ndihmonte stabilitetit e të mos provokoheshin probleme të reja”, ka thënë ai.

Sipas asaj që përcjell gazeta e Beogradit, ambasadori gjerman ka theksuar se vendi i tij është i shqetësuar se situata në veri të Kosovës mund të përshkallëzojë dhe se më e rëndësishmja është që situata të vihet nën kontroll.

“Me rëndësi është që të hapen dhe të funksionojnë kanalet e komunikimit”, ka thënë Schieb.

Lidhur me aksionin në veri, Schieb ka theksuar se ai ka qenë i planifikuar gjatë dhe i drejtuar kundër krimit të organizuar.