Shumë të rinj që diplomohen në Shqipëri kanë vështirësi në tregun e punës dhe për pasojë një pjesë e tyre largohen jashtë vendit. Sipas të dhënave zyrtare largimet më të mëdha janë nga punonjësit e shëndetësisë dhe kryesisht infermierët. Gjatë tre-katër viteve të fundit, disa prej degëve të studimit kanë rrezikuar të mbyllen për shkak të numrit të pakët të studentëve, ndërkohë që në fakultetin e infermierisë kërkesat janë në rritje.
Pandemia COVID-19 nxorri në pah nevojën e madhe që ka Shqipëria për mjekët dhe infermierët. Largimi I mjekëve dhe infermierëve është një investim i humbur i shtetit shqiptar, që shpenzon para për shkollim e tyre dhe, që më pas, një pjesë prej tyre largohen drejt perëndimit.
Pagesat për infermierët sidomos në sektorë të tillë sic është urgjenca në spitalet shtetërore në Shqipëri shkojnë deri në 600 dollarë në muaj, ndërsa në sektorin privat janë edhe më të larta, por shumë më të ulta krahasuar me pagën e infermierëve në vendet europiane.
Aktualisht në Shqipëri ka rreth 23.900 infermierë të licencuar falë hapjes së degëve të infermierisë në disa universitete të vendit por edhe universiteteve private, ndërsa mosha mesatare e infermierëve është 43 vjeç. Sipas vlerësimeve jo zyrtare numri i infermirëve që diplomohen është afërsisht nga 1200 deri në 1500 në vit dhe po i përafrohet numri infermierëve që janë larguar nga vendi një vit më parë. Ky trend sa vjen e rritet me kohën. Shqiptarët largohen në kërkim të shpresës, pasi realiteti këtu nuk i përmbush dot pritshmëritë e tyre.
Vit pas viti, fenomeni i emigracionit po merr përmasa alarmante dhe po përfshin segmente të shoqërisë me aftësi. Zhgënjimi i prindërve, sidomos i atyre me mundësi të larta ekonomike, shtyn të rinjtë të studiojnë jashtë, ndërsa të tjerët ikin nga mungesa e perspektivës dhe mundësive në vend. Rritja e dëshirës për emigrim zbulon dobësitë strukturore të ekonomisë dhe politikave, që në vend që të përmirësohen po përkeqësohen dhe nuk po gjenerojnë mundësi dhe perspektivë për popullatën. Fenomeni i largimit është më i lartë në Shqipëri, se kudo tjetër në Europë.

