TË FUNDIT

Sfidoi serbët i ulur këmbëkryq/ Flet shqiptari i fotos historike në Prishtinë: Mesazhi që doja të tregoja

Faik Rexhepi (në rreth) u bë i njohur në mbarë botën për rezistencën paqësore ndaj policisë serbe në protestat e 1990. Njeriu që u shfaq në foton ikonike të protestave demokratike në Prishtinë në gusht 1990 rrëfen për herë të parë prapaskenat e asaj proteste kundër shovinizmit serb.

Personi i ulur këmbëkryq përpara Hotelit ‘’Grand’’ në Prishtinë është ish-inxhinieri i industrisë kimike në Drenas Faik Rexhepi. Për ‘’Bota Sot’’, njeriu simbol i rezistencës paqësore kundër shtypjes dhe spastrimit serb rrëfeu se si arriti të sfidonte i vetëm forcat e shumta policore serbe duke u ulur këmbëkryq teksa këta filluan raprezaljet ndaj demonstruesve shqiptarë.

‘’Nga ora 12:00, policia nisi të futej mes njerëzve. Ata kërkojnë që protestuesit të tërhiqen nga hotel ‘Grandi’. Madje, kishte kërkesa që të shpërndahen duke thënë se ‘amerikanët do të vonohen pak’.’U tërhoqëm nja 50-70 metra nga hoteli dhe ashtu po qëndronim, por duke mos lëvizur më asnjë metër prapa. Situata dukej se do të shpërthente, sepse nervozizmi te policët serbë ishte i madh. 30 minuta më vonë, policia nisi ndërhyrjen kundër protestuesve, duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës.

U ula për të treguar se ky vend është i joni e se s’kemi ku të shkojmë. Prandaj, s’kam lëvizur nga aty. Mbeta vetëm, të tjerët ikën. Kur arriti policia serbe, më goditën disa herë me shkopinj gome. Më kapën për krahu që të më dërgonin në veturat e policisë. Por, për fatin tim, në atë moment vjen një femër, basketbolliste e Ferizajt, që më tërhoqi për krahu edhe iu drejtua policëve në gjuhën serbe: ‘Zoti ju mallkoftë, lëshojeni atë, pse po e keqtrajtoni?! Kjo situatë është xhiruar dhe dokumentuar në një video.

Pastaj u futëm brenda hotel ‘Grandit’. Aty kemi qëndruar derisa ka rënë errësira. Burri i saj (basketbollistes) insistonte që të mos dalim, sepse situata ishte ende e rrezikshme. Qyteti dukej shkretë. Nuk kishte asnjë lëvizje të qytetarëve, përveç patrullave të policisë”, rrëfen Faik Rexhepi për ngjarjet e asaj dite historike.

Më pas, ai u kthye në shtëpi ku u mjekua.

Sot ai jeton në pension, dhe ndihet krenar që dha mesazhin e tij për të gjithë bashkëkombasit e tij. botasot 

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat