Departamenti i Mbrojtjes i SHBA ka njoftuar se do të vendosë edhe 3.500 trupa në kufirin me Meksikën për të parandaluar hyrjen e emigrantëve të paligjshëm në vend.
Me dërgimin e këtyre trupave shtesë numri i ushtarëve amerikanë në kufi do të arrijë në 5.800.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump në llogarinë e tij në Twitter ka njoftuar se në kufi do të dërgojë edhe më shumë trupa.
“Po dërgohen më shumë trupa në kufirin jugor për të ndalur përpjekjen për pushtimin e paligjshëm të vendit tonë me karvanët e gjata. Ne kemi ndaluar karvanët e mëparshëm dhe do t’i ndalojmë edhe këto. Me murin, kjo do të ishte shumë më e lehtë dhe më e lirë. Është duke u ndërtuar”, tha Trump.
John Rood, zëvendës nënsekretar i Departamentit të Mbrojtjes, pasi mori pjesë në një seancë të Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, ka thënë se Departamenti i sigurisë së brendshme ka përcaktuar se dy karvanë me më shumë se 12 mijë emigrantë janë duke ardhur drejt SHBA-ve.
Në nëntor, Pentagoni vendosi 5.900 ushtarë në kufirin me Meksikën kundër karvanit të emigrantëve që kanë ardhur nga Amerika Qendrore drejt SHBA-ve. Pentagoni tha se mandati për trupat e shpërndara në këtë zonë është zgjatur nga 15 dhjetori deri më 31 janar./real-news.tv/

