SHBA: Po na soset durimi me Kosovën

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, tha për mediet në Prishtinë se SHB po u soset durimi me kokëfortësinë e Serbisë dhe Kosovës, për të mos u ulur në tryezën e dialogut. Teksa përmend përkrahjen e deritanishme të dialogut mes dy vendeve,  ai nuk garanton se një përkushtim të tillë do të vijojë në të ardhmen nëse Prishtina dhe Beogradi nuk lëvizin përpara në një afat të shkurtër.

“Durimi ynë gjithmonë ka kufij. Njëra nga gjërat për të cilat iu kemi treguar dy qeverive, në Prishtinë dhe Beograd është se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në ofrimin e përkrahjes për procesin. Ai ka tërhequr vërejtjen se në qoftë se dy qeveritë nuk lëvizin në një afat të shkurtër dhe thonë  “do të jemi të gatshëm për disa vite”, atëherë nuk mund të garantoj që Washingtoni në të ardhmen do të jetë njësoj i përkushtuar për këtë çështje, siç është tani.

Ambasadori flet edhe për afat brenda të cilit duhet përmbyllur procesi i normalizimit të marrëdhënieve.

“Ajo që kemi thënë ne, ajo që ka thënë Qeveria Amerikane, është ajo se ne mendojmë që viti 2019 është viti kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse. E, që të arrihet deri te marrëveshja në vitin 2019 duhet që të gjithë të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të shikojmë që kjo zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ambasadori amerikan vlerëson se bisedimet për bashkimin e Mitrovicës aktualisht nuk mund të jenë produktive.

“E kuptoj që ka shqetësime. Mendoj që njerëzit duhet të qetësohen, sepse është me rëndësi që të gjithë të sillemi me përgjegjësi. Kur them të gjithë, prapë mendoj te dy qeveritë. I ftoj qeveritë në Prishtinë dhe atë në Beograd, që të mos ndërmarrin veprime, të cilat do komplikonin më shumë gjendjen”, tha Kosnett.