Shokon Ardi Veliu: Gjin Gjoni dhe gruaja e Fullanit “e ndihmuan” terroristin, ja si u arratis nga Shqipëria

aridi.jpg

Në një deklaratë për mediat mesditën e sotme, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu zbuloi se policia shqiptare kishte arritur të parandalonte kryerjen e një akti terrorist brenda territorit shqiptar. Sipas tij, një celulë terroriste në 2018, kishte planifikuar një akt të kësaj natyre drejtuar muxhahedinëve. Ardi Veliu foli edhe me emra të përveçëm.

“Koka” e planifikimin të aktit të sipërpërmendur, është Abdulselam Turgut, një emër i njohur për autoritet shqiptare, pasi në vitin 2011 është arrestuar në aeroportin e Rinasit, për llogari të drejtësisë gjermane. Në atë kohë, Turgut ishte në kërkim edhe nga 5 shtete europiane.

Pas vënies në pranga nga autoritetet shqiptare, Prokuroria e Përgjithshme kishte paraqitur në Gjykatë kërkesën për miratimin e arrestit ndaj Abdulselam Turgutit dhe caktimin e masës se përkohshme të sigurimit “arrest ne burg me afat 40 ditë” për efekt të ekstradimit të tij drejt Gjermanisë.

Por, një vendim i Gjykatës së Apelit kryesuar nga Gjin Gjoni, vendosi që shtetasi turk të lihet në “arrest shtëpie”, duke e detyruar që të qëndrojë në një banesë të marrë me qira nga ai në një pallat tek Kthesa e Kamzës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës, Abdulselam Turguti është thirrur nga Prokuroria e Tiranës për të vazhduar me procedurat e ekstradimit drejt shtetit gjerman, por shtetasi turk nuk u gjet më në banesë. Ai ishte arratisur nga shteti shqiptar duke përdorur identitet të rremë.

Edhe pse Prokuroria kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Gjykatës së Apelit, kjo e fundit në vitin 2012, në një vendim me Gani Dizdarin kryesues, dhe katër anëtarë Arjana Fullani, Aleksandër Muskaj, Edmond Islamaj, Shkëlzen Selimi, gjykuan se vendimi i Gjykatës së Apelit kishte qenë i ligjshëm me masën ‘arrest shtëpie’ për turkun një vit më parë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303