Shpërndarja e teksteve shkollore nis më 6 shtator

Shpërndarja e teksteve shkollore këtë vit do të nis më 6 shtator. Deri në datën 11 të po këtij muaji nxënësit duhet të jenë pajisur me tekstet përkatëse.

Shqiponja Lamçe: “Drejtoritë e shkollave duhet ti sigurojnë shpërndarësve të librit një ose dy ambiente pa pagesë. Shitja e librave bëhet nga shitës të licencuar pranë ambienteve shkollore”

Këtë vit tekste në përdorim falas do të përfitojnë edhe klasat e pesta ndërsa nxënësit e klasave të para përveçse do të marrin libra të rinj në përfundim të vitit shkollor nuk do t`i dorëzojnë.

Shqiponja Lamçe:  “Klasa e parë për çdo vit shkollor do të kenë tekstet falas duke nisur nga ky vit shkollor. Kjo është parë e arsyeshme tu jepen falas pasi kanë shumë për të ngjyrosur, dhe për të plotësuar “

Specialistja pranë MASR Shqiponja Lamçe, thotë se 80% e teksteve të dorëzuara në qershor janë në gjendje të mirë ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet me libra të rinj.

Shqiponja Lamçe  “Për vitin shkollor 2019-2020 në arsimin fillor 80% e librave që do të shpërndahen janë nga kontigjenti i vitit të kaluar 20% do zëvendësohen nga tekste të reja që do rimbursohen nga buxheti i shtetit”

Janë 230 mijë nxënës nga 16 kategori që përfitojnë tekste në përdorim falas për arsimin 9 vjeçar, ndërsa në arsimin e mesëm të lartë përfitojnë 18 mijë nxënës, buxhetit të shtetit tekstet do t`i kushtojë 672 mln lekë.