Në Këlcyrë, familja Hoxha tejet e varfër, nëmos më e varfëra më këtë qytet, jeton në kushte tërësisht të pafavorshme për t’u kujdesur për djalin që qëndron shtrirë prej vitit 1995.
Ky është Jetmir Hoxha, një djalë që fati e donte që ai të vinte në jetë normal dhe më pas të përjetonte encefalit që i shkaktoi paralizim të përhershëm.
Shkak mund të ketë qenë temperatura e lartë apo dhe faktorë të tjerë. Prindërit Dashnor dhe Entela Hoxha, i qëndrojnë tek koka përditë dhe vajtojnë vecse fatin e keq, por edhe indiferencën që tregon pushteti vendor në Këlcyrë.
Angazhimi që kërkon djali tek koka, nuk i lë ata të jenë disponibël për punë. Ato 20 mijë lek të rinj që merr pension invaliditeti djali i tyre në muaj, shpenzohen për ilace dhe pajisje sanitare (bebelino, letra të lagura etj).
Takimi me Ramën:
Zonja e familjes Entela Hoxha tregon dhe takimin që ka pasur me kryeministrin Edi Rama për këtë problem në muajin Qershor të këtij viti, të cilin e cilëson më të keqin e këtyre 27 viteve. Me lot në sy, Entela tregon se gjatë takimit në fushatë në Gjirokastër Rama e ka pyetur sesi i kishte bërë fëmijët “një nga një, apo dy nga dy”, ndërsa ka shtuar më tej se, mos ti bënte fare në rast se nuk i mbante dot.

