Ngjarja e një dite më parë në Vlorë ishte një krim i paralajmëruar pasi burri ishte një dhunues i përsëritur ndaj bashkëshortes së tij.
Todi Lera, i cili vrau gruan e tij dhe më pas tentoi të vetëvritet, ishte proceduar penalisht për dhunë në familje në 2017.
Pas shqyrtimit të çështjes gjykata e Vlorës vendosi dënimin e tij me 6 muaj burg, dënim ky që iu zbrit me 1/3 për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Por edhe 4 muaj burg ai nuk i bëri pasi gjykata pezulloi ekzekutimin e vendimit me burg dhe e la në periudhë prove për 8 muaj me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale.
Rrethanat lehtësuese që çuan në lirimin e tij: “Është dënuar me 4 muaj burg, paraqet rrezikshmëri të pakët shoqërore, përdorimi i burgimit si formë dënimi duhet kufizuar rreptësisht”.
Sipas vendimit të Gjykatës së Vlorës dhënë për Todi Lerën me 06.07.2017. “Todi Lera kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij Etleva lera dhe vajzës A.Lera. Nga deklarimet e Etleva Lerës ka rezultuar se motivi i ushtrimnit të dhunës ndaj saj nga bashëshorti konsistonte në dyshimet e krijuara tek ai sa i përket marrëdhënieve bashkëshortore, fakt për të cilin Todi Lera i kishte kërkuar disa herë asaj të largoheshin dhe të jetonin në Tiranë. Por Etleva kishte refuzuar duke mohuar dyshimet e krijuara tek bashkëshorti“, transemton Ora News.
Më tej në vendim thuhet se “vajza A.Lera ka deklaruar se në familje ishte krijuar gjendje e rënduar psikologjike në ditën e ngjarjes në përpjekje e sipër që të ndalonte babain e saj, të pandehurin Todi Lera, është sulmuar fizikisht prej tij dhe në këtë kohë në banesë ka ardhur S.M i cili është mjek dhe u ka dhënë ndihmën e parë”. Edhe vetë Todi Lera ka pranuar faktin penal në ngarkim të tij por ka thënë se veprimet i kishte kryer në kushte të rënduara psikologjike./real-news.tv/

