Situata e frikshme me pronat dhe mafian, flet Artan Lame

I ftuar në emisionin “Opinion”, Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame ka folur për kërcënimet që ka marrë për shkak të detyrës, nga persona që ai tha se “u ka ardhur në majë të hundës” për çështje të ndryshme të pronave.

Lame tha se nuk ruhet me polic, dhe asnjë drejtor aktual i kadastrës nuk është në mbrojtjen e policisë. “Më pe me ndonjë polic? Ka ndonjë shqiptar që ka të bëjë me pronat dhe nuk është kërcënuar? Ka pasur kërcënime të të gjitha llojeve, nga më të ulëtat deri te njerëzit që iu ka ardhur te maja e hundës dhe thonë do të bëj këtë-atë. Dhe deri te kërcënimet serioze që unë i kam referuar. Nuk është ky thelbi.

Që dje bëra një kërkim, dhe nuk më rezulton që nga drejtorët aktualë të jenë nën mbrojtjen e policisë. Duhet të kuptojmë një gjë. Po ndodh diçka shumë e madhe për herë të parë në Shqipëri në Kadastër, që për herë të parë do largojë presionin e njerëzve nga Kadastra”, tha kreu i Kadastrës Artan Lame.