Mjeku i njohur epidemiolog, Erion Dasho, përmes një postimi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që shqiptarët të lejohen që të blejnë tamponin dhe ta bëjnë vetë në shtëpi testin e Covid-19. Kjo pasi sipas tij situata e pandemisë në vend ka dalë jashtë kontrollit.
“Më pak se 10 EURO kushton testi i shpejtë antigjenik në Europë! Në një status që publikova dje, u komentua se disa klinika në Tiranë e ofrojnë këtë test me çmimin spekulativ 10 mijë deri 15 mijë lekë të rinj!!! Me një normë fitimi një mijë përqind!!! Më e pakta që mund të bëhet sot është autorizimi i importit të një prej testeve të shpejta që përdoren në Evropë dhe lejimi i shitjes së tyre në farmaci. Çdo qytetar mund t’a blejë privatisht testin dhe të paraqitet pranë mjekut të familjes për ta kryer atë! Kështu kursehen disa qindra Euro në rastin kur nevojitet testimi i gjithë familjes. Një thirrje për qeverinë shqiptare! Lehtësoni sado pak barrën financiare të epidemisë që u keni lënë në kurriz familjeve shqiptare! Kujtohuni se keni ardhur në pushtet me premtimin për një shëndetësi falas”, shkruan ai.

