‘S’jam vrasës, por hajdut’ / Profili i të plagosurit të Novoselës, kërkohej nga drejtësia greke

I plagosur i atentatit në Poro të Vlorës, Eno Mata ka dhënë dëshminë e tij në lidhje me ngjarjen e orëve të para të mëngjesit të sotëm ku miku i tij Sotiraq Mëhilli mbeti i vrarë.

Ai shprehet se porosia për vrasjen e tij është bërë nga Athina pasi në Greqi, Mata akuzohohet për vrasjen e një avokati grek.

Unë nuk kam bërë asnjë vrasje, vetëm kamë bërë vjedhje në bankë. Jam dënuar për këtë punë. Atje më kanë ngatërruar me një anëtar të një bande. Prandaj më kanë qëlluar” është shprehur Eno Mata.

Më pas ai ka thënë se autorët që kanë qëlluar në drejtim të tij dhe shokut të tij kanë dalë nga një ferrë ku ishin fshehur.

Kush është Eno (Aleksandër) Mata

Eno (Aleksandër) Mata nga Vlora i shpëtoi atentatit në mesnatë në Vlorë duke u plagosur rëndë në këmbë dhe në trup, ndërsa shoku i tij Sotiraq (Raqi) Mëhilli mbeti i vdekur nga breshëria e plumbave të dy karikatorëve.

Nga të dhënat e para dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë pikërisht 32-vjeçari Mata, pasi ka një të kaluar kriminale në Greqi.

Ai akuzohet për vrasjen e një avokati dhe shumë grabitje, mes tyre argjendari dhe një filiali banke në vendin fqinj.

Mata së bashku me shokun e tij Mikel Brahimaj akuzohen se në vitin 2017 vranë avokatin e njohur grek Mihalis Zafiropulos në Athinë.

Por, shënjestra e atentatit të sotëm pas një grabitje la një shënim për policët grekë ku shkruhej se “Unë vjedh, por nuk jam vrasës”.

Eno Matës në fund të letrës kishte lënë shënimin “Maradona – këmbëshpejti”.

Ai njihej me këtë pseudonim, pasi është rritur në Arkadia në Greqi dhe ka luajtur futboll me ekipin e qytetit ku shokët e tij e thërrisnin “Maradona shqiptar” për shkak të aftësive të tij në futboll.

E ndërsa ishte në kërkim nga policia ai ishte arratisur nga Greqia dhe fshihej në Shqipëri ku ra pre e atentatit, por mbeti i plagosur rëndë.

Dyshimet e para janë se vrasja mund të jetë porositur në Greqi.