Emisioni Stop në Tv Klan ka denoncuar krimin shëndetësor që bën subjektin “Saranda Al” me produktet ushqimore. Në redaksinë e emisionit mbërriti një denoncim nga një ish-punonjëse e këtij subjekti, që tregton produkte bulmeti dhe vaj sallate e ulliri.
Në kushte anonimati, kjo ish-punonjëse tregon se në magazinën e subjektit “Saranda Al” çdo gjë është e falsifikuar. Vajit të sallatës, që shitet si i përzier mes vajit luledielli dhe vajit të ullirit, ajo thotë se i hidhet ngjyryes dhe nuk ka aspak vaj ulliri.
Këtë pohim e mbështesin edhe pamjet e fshehta, që tregojnë se si pronari i subjektit “Saranda Al”, Mihal Kote, udhëzon punëtorët që të hedhin përzierës, ngjyrues dhe kimikate të tjera në vaj.
Sipas të njëjtit denoncim, në magazinën e këtij subjekti mblidheshin shumë lloje vajrash, kryesisht vaj luledielli i skaduar, pa etiketë dhe riambalazhohej me etiketë të re nën emrin “Saranda Al” me pronar Mihal Kote.
Vajit të lulediellit i shtohen disa përbërës, një lloj lëngu me ngjyrë të kuqe dhe një produkt tjetër në formën e plastelinës, që përzihet në enë të vecanta dhe i shtohet vajit të lulediellit, për të marrë ngjyrën dhe aromën e vajit të ullirit.
Denoncuese: Unë kam punuar dikur tek shoqëria e Sarandës, punëtore, kam mbushur vaj, kam paketuar djath, i kam bërë të gjitha proceset brenda në magazinë. Por kam parë shumë gjëra skandaloze. Si për shembull, vaji që nuk ishte fare asnjë pikë vajë ulliri brenda. Ishte thjesht val luledielli, i hidhnin një bojë jeshile nuk e di se çfarë ishte, nuk ja di emrin; një bojë të kuqe, shumë solucione, një erë limoni, dhe shumë gjëra të tjera që ai e quante vaj sallate. Përzierja bëhej vetë nga punëtorët. Kishte një formulë që ia kishte dhënë pronari vetë dhe me atë formulën e peshonin me gramatura. I peshonte punëtori dhe i hidhte në cisternën e vajit të lulediellit. Djathi për shembull kur vinte, lexonte etiketa feta lope, ky e shiste për djath dhie. Ndryshonte thjesht etiketën, jo ambalazhimin dhe e shiste në treg për djath dhie. E kishte dhe në etiketë aty te peshorja, dilte djath dhie. Kaçkavall i grirë shumë probleme, shumë i pistë, kaçkavall lope gjithë mbeturinat që kthehen nga tregu pastroheshin nga myku, hidheshin në një tavë, aty i pastronim edhe i hedhim pastaj në tavë, pastaj i hidhnim për grirje. Pastaj e përzienim dhe një kaçkavall që ishte shumë i lirë që nuk mund të quhet kaçkavall, e merrte shumë të lirë atë për t’i ulur koston dhe e përziente me mbeturinat e tregut.
Një person i infiltruar i emisionit Stop shkoi në dyqanin ku tregtohen produktet e subjektit “Saranda Al” për të blerë këtë vaj.
Klienti – Vaj ulliri është ai?
Shitësja – Vaj sallate ai, i përzier. Më i miri është ky, në do tamam, fikse-fikse vaj ulliri.
Klienti – Sa lekë është ai?
Shitësja – Ajo është 375, 7 mijë është i madhi. Nëse e ke problem ashtu, merr më mirë të paktën ktë, është më i mirë se ai!
Klienti – Po pse, ça lidhje ka ai?
Shitësja – Ka, se ka më shumë përqindje vaj ulliri, e kupton?
Klienti – Hëëë…
Shitësja – Kurse ajo ka më shumë lulediell.
Klienti – Ngaqë kishte shenjën e ullirit edhe thamë.
Shitësja – Po ka ullirin ajo po, i thonë sallate. E kupton, sallate i bëjmë të dyja bashkë.
Klienti – Po kjo?
Shitësja – Edhe kjo ka përzierje, po ka më shumë ulli, sesa ashtu. (Te etiketa 35%ulli dhe 65 % vaj luledielli)
Klientja – Sa është ky?
Shitësja – Ky dy mijë e dyqind ky, ai është 1 mijë e 700-nd. Atë të paktën e ke tamam, pa hile, sa për ktë, ta jap me garanci e haj vetë, e di vetë.
Shitësja – Djathë dele, dhie apo lope?
Klientja – Dhie!
Shitësja – Dhie, ja ku i ke ktu 5 mijë më i liri, shumë i mirë.
Klienti – Sa është?
Shitësja – 5 mijë, 5 mijë e 500-nd!
Klienti – Kaq e lirë?
Shitësja – Po!
Klienti – Djathi i dhisë?
Shitësja – Po më po, si të doni! Provoje, provoje të keqen! Ne jemi të parët, që furnizojmë edhe të tjerët, prandaj jemi edhe më lirë. Ne furnizojmë gjithë Shqipërinë.
Shitësja – Ta bëj ktë?
Klienti – Ai është i dhisë?
Shitësja – Po dhie!
Klienti – Ok!
Klientja – Po ky 5, ky 5 mijë e 500-nd?
Shitësja – Po!
Klientja – Është më… pse është 5 mijë e 500-nd them, pse ky 5? A është djathë dhie, të dyja, apo?…
Shitësja – Po dhie, kjo është Gjirokastre, kjo është Erseke.
Klientja – Edhe pak kaçkavall!
Shitësja – Kaçkavallin e keni aty me copa, sa të dush ti!
Klienti – Kaçkavall i grirë!
Klientja – Ok! Bëjë ktë!
Shitësja – 5 mijë lekë fiks! Urdhëroni, faleminderit!
Klientja – Faleminderit!
Klienti – Mirupafshim!
Shitësja – Mirupafshim!
Një tjetër skandal përveç përzierjes së vajit të sallatës, është edhe djathi kaçkavall që tregtohet nga subjekti “Saranda Al”. Nga kamerat e fshehta shihet se si kaçkavalli i grirë prodhohet nga djathi i mykur, që pastrohet dhe grihet për t’u rihedhur në treg nga “Saranda Al”. “Stop” ka hyrë brenda ambienteve të magazinave të “Saranda Al”, duke faktuar krimin, që bëhet çdo ditë me shëndetin e qytetarëve. Po kështu, shihet qartë se si edhe djathi i lopës shitet si djath dhie nga subjekti “Saranda Al”, duke i ndërruar etiketat.

