Socialistët në bashkitë e djathta aksion, Rama: Askush nuk është hequr nga puna

Kryebashkiakët socialistë në bashkitë e djathta e kanë nisur punën e tyre me pastrimit e qyteteve.

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në facebook thotë se në bashkitë Vau i Dejës, Përmet, Mat, Selenicë vijon papushim heqja e zhulit, plehrave e ferrave nga territoret, ku pas largimit të kryebashkiakëve revolucionarë, punonjësit e pastrimit nuk paguhen më si turistë politikë, për të mbushur radhët e protestave antishtet në Tiranë, po janë kthyer në punën e tyre në shërbim të komuniteteve.

Rama shton se deri tani askush s’është larguar nga puna në ish-bashkitë e djathta, përveç ca kokave të mëdha e të pagdhendura politike, shton ai, që kanë ikur me dorëheqje.

Kryeministri paralajmëron se nga administrata e bashkive të djathta do të largohet vetëm kush nuk do të dojë t’i futet punës.

Rama: Në 30 qershor Shqipëria nuk votoi për të majtën po për te drejtën dhe unë do të bëj çmos që askujt të mos i mohohet padrejtësisht, e drejta për të treguar se e do dhe e bën si duhet, punën që ka.