Kuvendi i Kosovës do të mblidhet ditën e sotme në një seancë të jashtëzakonshme plenare.
Çështja e dëbimit të gjashtë gylenistëve të dëbuar nga Kosova në marsin e vitit të kaluar, do të jetë tema e diskutimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Seanca është kërkuar nga LDK-ja, me përkrahje të partive të tjera opozitare dhe disa deputetëve të pavarur.
“Me mbështetje të partive opozitare dhe disa deputetëve të pavarur, sot kemi dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme parlamentare për shqyrtimin dhe votimin e Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq”, thuhej në njoftimin e LDK-së.
Komisioni i krijuar në Kuvend po heton rrethanat për ndriçimin e procedurave që çuan deri te deportimi i këtyre shtetasve turq nga Kosova, ndërkaq, disa herë nga ky komision janë deklaruar se kanë hasur në një numër të madh të parregullsive.
Dëbimi i gjashtë gylenistëve kishte nxitur reagime të ndryshme të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, posaçërisht nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat e kanë dënuar veprimin e institucioneve të Kosovës. /real-news.tv/

