Sot sfida kundër Turqisë, Panucci nuk ka më dilema për formacionin

Djemtë kuqezi do të zbresin sot në orën 20:45 në “Loro Boriçi” në sfidën e parë eliminatore në rrugëtimin drejt EURO 2020.

Sfida kundër Turqisë do të jetë shumë e rëndësishme për fatin e këtyre eliminatoreve. Ndaj edhe trajneri Cristian Panucci është munduar ta mbajë hermetike kombëtaren dhe të mos dalë asgjë nga idetë e tij për formacionin.

Por sipas raportimeve duket se trajneri e ka ndarë mendjen për 11 lojtarët që do të hedhë në fushë. Moduli 4-2-3-1 i jep kuqezinjve më shumë ekuilibër në prapavijë, por edhe mundësinë për të goditur me kundërsulme të shpejtë. Kjo duket se do të jetë zgjedhja e Panuccit sonte. Përpara portës së Berishës do të rreshtohen Hysaj e Veseli në krahë, ndërsa në qendër Gjimshiti dhe Ismajli me këtë të fundit që ka fituar balotazhin me Ajetin.

Xhaka dhe i rikthyeri Abrashi japin grintë dhe forcë mesfushës, ndërsa organizimi i aksioneve sulmuese do t’i besohet Memushajt.

Armando Sadiku do të zbresë në fushë nga minuta e parë, ndërsa sulmuesin e vetëm të deklaruar do ta ndihmojnë nga krahët Uzuni e Grezda, dy lojtarë të shpejtë dhe me aftësi teknike.