fbpx

Spitali Memorial i Fierit drejt përfundimit, Manastirliu thirrje profesionistëve të shëndetit: Bëhuni pjesë e këtij projekti ambicioz

Screenshot_13-21.jpg

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu me anë të një vieomesazhi, u ka bërë thirrje të gjithë profesionistëve të shëndetit të interesuar për t’u punësuar në Spitalin e Ri Rajonal Memorial Fier, që të aplikojnë menjëherë, duke garantuar punësim me meritë dhe transparencë, ndërsa bëri me dije se spitali i ri është drejt përfundimit.

“Për nga standardet por edhe për nga mënyra e administrimit, ky spital do të vendosë gurin e themelit sa i përket ndërtimit të modelit të ri të autonomisë spitalore në Shqipëri. Spitali Rajonal Memorial do të menaxhohet nga një ekip i përbashkët shqiptaro-turk. Ky spital do të ketë 150 shtretër, 19 shërbime dhe njësi klinike ambulatore dhe me shtretër. Një spital i cili do të mundësojë shërbime të nivelit terciar për qytetarët shqiptarë”, tha Manastirliu.

Spitali i Ri Rajonal Memorial Fier do të ketë mbi 300 të punësuar, 50 nga të cilët do të jenë profesionistë nga Turqia.

“Kjo ftesë u drejtohet të gjithë menaxherëve shëndetësorë spitalore, mjekëve sipas specialiteteve të përcaktuara në thirrjen publike, infermierëve, teknikëve që plotësojnë kriteret për t’u përzgjedhur dhe që janë të gatshëm të bëhen së bashku me ne pjesë e këtij projekti ambicioz që po hedh hapat e parë drejt autonomisë së sistemit spitalor publik”, ka bërë thirrje Manastirliu.

Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet nga një komision ad-hoc, sipas një sistemi pikëzimi, i cili vlerëson dosjen e aplikantit dhe intervistën.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303