Superoperacioni i europol/ Shkatërrohet grupi kriminal, arrestohen 42 persona

Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “Goldfinger” i koordinuar nga EUROPOL dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë ka vënë në pranga 42 anëtarë të një grupi kriminal.

Mësohet se mëngjesin e sotëm është arrestuar në Shkodër kreu i këtij grupi kriminal.

Newsbomb.al bën me dije se blutë kanë arrestuar Astrit Beqirin, 51 vjeç, banues në Shkodër.

Gjithashtu policia ka shpallur në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, pjesëmarrëse dhe rol aktiv në një tjetër operacion ndërkombëtar, për goditjen e veprimtarisë në fushën e drogave të forta.

Operacion ndërkombëtar antidrogë i koduar “Goldfinger” .

Operacioni i koordinuar nga EUROPOL dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë.

Operacioni i shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri.

Autoritetet daneze të hetimit si vend lider i këtij hetimi, bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e një grupi kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë, etj.

Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, konkretisht Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me autoritetet daneze, regjistruan procedimin penal në vitin 2019.

Sot, në koordinim të plotë me EUROPOL, autoritet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë, realizuan goditjen në një kohë, të këtij grupi kriminal.

Është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së.

Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim.

U sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

Në Shqipëri gjatë fazës operacionale u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër, u bë arrestimi i shtetasit A. B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

U shpall në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet.

U sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

EUROPOL dhe autoritetet daneze, kanë falënderuar Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, për profesionalizmin e treguar, rolin aktiv dhe shumë të domosdoshëm në goditjen e këtij grupi të rrezikshëm kriminal.