Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë përshtypjet e tij paraprake lidhur me takimin që do të zhvillohet më 29 prill në Berlin.
Në takim do marrin pjesë liderët e vendeve të Ballkanit, ku mes tyre do jenë Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Thaçi është shprehur duke thënë se nuk pret ndryshim marrëdhëniesh mes Kosovës dhe Serbisë pavarësisht takimit.
“Natyrisht që Kosova do të marrë pjesë sikur të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, si shtet i pavarur dhe sovran, por nuk pres diçka të re nga ky takim në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por do të jetë një takim rutinë i rritjes së vëmendjes së tyre për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Është një mundësi shumë e mirë që kjo konferencë definitivisht t’i japë shtytje liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe të dënojë gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, tha Thaçi para gazetarëve./real-news.tv

