Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është shprehur në një intervistë për kanalin T7 në Kosovë se pas dorëheqjes së tij nuk ka marrë një letër nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërkohë që ka marrë plot letra të tjera nga politikanë shqiptarë por edhe liderë të rajonit.
“Kam marrë shumë shkresa prej kryeministrave të rajonit, por jo prej Edi Ramës. Prej Shqipërisë më kanë shkruar presidenti Berisha, Moisiu, presidenti Meta ishte këtu, etj”, ka deklaruar Haradinaj në televizionin T7.
I pyetur për sërsh për taksën dhe për një krisje të mundshme me kryeministrin Edi Rama, Haradinaj tha se një vendim i tillë nuk është ndërmarrë për inat të kryeministrit të Shqipërisë apo presidentit të Kosovës, por për të mbrojtur shtetin.
Kryesministri i Kosovës Ramush Haradinaj dha dorëheqjen pasi është thirrur nga Prokuroria e Specializuar për Kosovën me seli në Hagë (të njohur si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë), ku paraqitet këtë të martë. Ai tha se në Hagë duhet të shkojë si qytetar i thjeshtë e jo si kryeministër.
Haradinaj tha se udhëheqja e ardhshme e Kosovës duhet të zgjidhet nga populli dhe se, pas kthimit nga Haga, do të angazhohet brenda partisë së tij, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe do të përgatitet për zgjedhje të reja.

