Tatimet/ Deri më 26 tetor, subjektet duhet të hapin llogari bankare!

Në sqarim të ndryshimeve të fundit ligjore, mbi detyrimin e tatimpaguesve për të hapur llogari bankare, Tatimet kanë sjellë dje në vëmendje të subjekteve se të përfshira në detyrimin për të hapur llogari bankare janë: tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar; tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi që realizojnë; organizatat jofitimprurëse të regjistruara në organin tatimor.

Detyrimi

Nisur nga paqartësitë e krijuara në kuptimin e detyrimit ligjor të mësipërm, ata japin një shpjegim më të detajuar si vijon:

1. Personat fizikë tregtarë, të cilët njëkohësisht janë të regjistruar edhe për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar – nga kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në prej 2 000 000 lekë në vit, ose nëse ushtrojnë një profesion të lirë, – janë subjekte të dispozitës së mësipërme;

2.Personat juridikë dhe organizatat jofitimprurëse, pavarësisht nga qarkullimi i realizuar, janë po ashtu të detyruar të kenë llogari bankare dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore

Përjashtimi

Përjashtohen nga detyrimi për të hapur dhe deklaruar të dhënat e llogarisë bankare në Administratën Tatimore, vetëm personat fizikë tregtarë, aktualisht të regjistruar, të cilët nuk janë të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar. Në rast se këto subjekte, regjistrohen për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në një moment të dytë, atëherë kanë detyrimin të hapin dhe deklarojnë llogarinë bankare në Administratën Tatimore.

 Afatet

Tatimpaguesit e sipërpërmendur, të regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit/Administratës Tatimore, janë të detyruar të hapin llogarinë bankare, jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e këtij Ligji dhe ta deklarojnë atë në Administratën Tatimore. Ky afat është data 26 Tetor.

Administrata Tatimore bën me dije se prej datës 15 Tetor këto të dhëna do të mund t’i dorëzoni, duke i plotësuar në llogarinë tuaj të deklarimit elektronik në E-filing.

Tatimpaguesit e rinj janë të detyruar të hapin llogarinë bankare të biznesit/organizatës jo më vonë se 20 ditë kalendarike nga e nesërmja e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/Administratën Tatimore dhe ta deklarojnë atë në të njejtën mënyrë në Administratën Tatimore.

Penalitetet

Në rast të mospërmbushjes së detyrimit tatimor të sipërcituar, Ligji nr. 31/2019 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon sanksione për tatimpaguesit.

Qeveria kishte propozuar që gjobat për bizneset pa llogari bankare të varionin nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë në varësi të xhiros. Por Komisioni parlamentar i Ekonomisë vendosi që t’i përgjysmonte ato.

Sipas variantit final të miratuar, për bizneset me xhiro nga 2 milionë deri në 8 milionë lekë në vit gjoba për moshapje llogari bankare do të jetë 25 mijë lekë. Për ato me xhiro mbi 8 milionë lekë në vit gjobat do të jenë 50 mijë lekë, ndërsa për organizatat jofitmprurëse 37 mijë lekë.

Në rast të vazhdimit të mosrespektimit të detyrimit, tatimpaguesi shkelës dënohet me dyfishin e gjobës së parë.

Objektivi

Ligji në fjalë është një nga masat e parashikuara për reduktimin e ekonomisë informale dhe përdorimit të parasë fizike nga personat fizikë/juridikë tregtarë. Për këtë qëllim, duke adresuar njëkohësisht rekomandimet e Komitetit Moneyval, u miratua detyrimi i të gjithë tatimpaguesve persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi. Ndërkohë, u vendos që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulëta. Për këtë arsye, është marrë për referencë kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore: tatimi mbi vlerën e shtuar. Sipas ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, nuk janë subjekt i detyrimit për t’u regjistruar për TVSH-në, tatimpaguesit të cilët realizojnë një qarkullim vjetor më të vogël se dy milionë lekë.