Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka pranuar ftesën e Akademisë Profesionale Elita, ku ka bashkëbiseduar me të rinjtë lidhur me temën e diskutimit “Shpopullimi i Shqipërisë dhe sfidat për të ardhmen”.
“E pranova me shumë kënaqësi ftesën e Akademisë Profesionale “ELITA” për të bashkëbiseduar me dhjetëra të rinj mbi dramën më të madhe, që po i ndodh sot vendit, shpopullimin.
Ndava me ta, të dhënat tronditëse të ‘Gallup’-it, sipas të cilave largimi i të rinjve nga vendi kap shifra deri në 79% dhe se mbi 90% e të rinjve të intervistuar, shprehen se e kanë menduar seriozisht të largohen nga Shqipëria, për një jetë më të mirë, për një arsimim më cilësor apo një punësim më të mirë.
Ndaj i ftova ata dhe bashkëmoshatarët e tyre në mbarë vendit, të organizohen për të qenë lokomotiva e ndryshimit dhe e mirëqeverisjes, që sjell shpresë, besim, begati dhe progres.
Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të vendit, për të NDALUR SHPOPULLIMIN”, shkruan Ilir Meta.