Thaçi dekreton marrëveshjen për tregti të lirë me Turqinë

thaci.jpg

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Turqinë.

Presidenti Thaçi e ka nënshkruar më 11 qershor dekretin që ratifikon marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë, e cila është nënshkruar më 27 shtator të vitit 2013, ndërsa është pranuar në Zyrën e Presidentit të Kosovës më 4 prill të këtij viti.

“Marrëveshja e ratifikuar i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për njoftim, në përputhje me nenin 18, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkruan në dekret. Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është bërë publik edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë së Kosovës, më 13 qershor 2019.

Të dhënat nga tregtia e mallrave në Kosovë, në vitin 2018, tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 2.9 milionë euro, ose në përqindje 11.6 për qind. Pra, gjatë këtij viti pati bilanc negativ sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në mbi 1 milion euro, ose 31.0 për qind. Turqia ishte ndër vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup me 10.1 për qind./real-news.tv/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303