Thaçi: Nuk mund të ketë dialog nëse Serbia vendos kushte

Presidenti Hashim Thaçi në panelin e “Forumit të Bratislavës”  të organizuar nga GlobSec ku është i pranishëm edhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç ka thënë se dialogu nuk duhet të kushtëzohet dhe marrëveshja përfundimtare duhet të arrihet.

“Të jem këtu për herë të parë dhe të flas në emër të Kosovës është kënaqësi. Unë dua të falënderoj baroneshën Kathrine Ashton që ka ndihmuar në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në vitin 2013.

Unë dua të theksoj se ne jemi në një proces të dialogut. Në realitet ky proces është në krizë nga kushtëzimet e panevojshme në këtë proces.

Ajo çfarë është shumë e rëndësishme është se në Kosovë mbi 70 % e qytetarëve duan të kenë dialog dhe të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht se ka mendime të ndryshme ashtu sikur edhe në Serbi”-tha Thaçi duke shtuar se objektiv i përbashkët i të dy vendeve është mundësia e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë që do të përmbyllë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje që do të jetë përfundimtare,dhe që sipas tij do të sjellë më shumë paqe në Ballkanin Perëndimor dhe do të hapë një rrugë të sigurt për perspektivën evropiane./real-news.tv/