fbpx

Tirana si shëmti e fjalës së pambajtur!

Capture-6-445x450.jpg

Nga Luan Rama

Zëvendëskryetar i LSI

Prej tërmetit, në pandeminë e koronavirusit, e prej realitetit të ri që ka krijuar për ne e në jetën tonë virusi që pushtoi botën, në raportin e pushtetit me qytetarin, për të parë e analizuar seriozitetin dhe korrektesën e shërbimit të të zgjedhurve ndaj qytetarit!

Tirana për fat të keq, mban në trupin e vet shëmtinë e shijeve mediokre e jo rrallëherë edhe perverse të atyre që e kanë drejtuar, njësoj siç mban trupi i një njeriu eksperimentin e pakorrigjueshëm, kryesisht të adoleshencës apo rinisë së herëshme, nëpërmjet të cilit dikush ka rrënjosur mbi lëkurën e vet gjithëfarëllojë tatuazhesh, të cilat kur do që ti heqë, e ka të pamundur.

Por, në ndryshim nga ai individi i tatuazheve, i cili ka fiksuar mbi trupin e vet trillet e një moshe të caktuar (dhe këtu e kam fjalën për teprime për të cilat më pas edhe pse pendohen, nuk i heqin dot më, e jo për tatuazhin si kënaqësi a zgjedhje individuale për të patur një kujtim a për të transmetuar një mesazh), ata që e kanë drejtuar Tiranën në kohën demokratike, kanë fiksuar ose janë imponuar që të tjerët të fiksonin mbi të gjithëfarëlloj shëmtish të trilleve të tyre, një pjesë e të cilave mund e duhej të ishin hequr e pastruar, siç u hoqën vite më parë kioskat e lokalet e ngulura pa asnje kriter e plan urbanistik nëpër të gjitha hapësirat e gjelbërta.

Sepse sot fatalisht, Tirana ka shumë gjurmë shëmtie që nuk kanë për tu hequr dot kurrë mbase.

Më konkretisht po sjell në vëmendjen tuaj një fakt që me siguri e mbani mend.

Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, një nga masat që mori kryetari aktual i bashkisë Erion Veliaj dhe që e trumbetoi me të madhe dhe me të drejtë, ishte edhe heqja e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve!

Padyshim, masa e duhur jo vetëm për sigurinë fizike të qytetarëve e pallateve ku ata banojnë, por edhe në funksion të cilësisë së ujit që shkon nëpër banesat e qytetarëve, pra edhe në shërbim të shëndetit të tyre, por edhe në aspektin estetik për vetë qytetin e kështu me radhë.

Mirëpo, ajo që na ofron realiteti gati 4 muaj pas tërmetit është shëmtia e Tiranës jo vetëm si pamje e as si kanosje për rrezik eventual mbi jetën e qytetarëve, por edhe si shëmti e fjalës së pambajtur!

Shikoni fotot dhe gjykoni mbi to e mbi çfarë unë po ju ofroj të gjithëve ju si qytetarë, pavarësisht nëse banoni apo jo në Tiranë, sepse edhe unë po paraqes një të vërtjetë nga Tirana vetëm si qytetar i saj.

Pra, po ju ofroj një të vërtetë pa politikë, pavarësisht se e ka politikën aty, duam apo nuk duam ne e, edhe sepse vetë kryetari i bashkisë zoti Erion Valiaj, e përdori nismën e vet për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve për të bërë politikë.

Sepse, nëse do ta kishte bërë si dëshmi shërbimi për qytetarët, do ta kishte mbajtur fjalën për të cilën u angazhua publikisht.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303