Turisti çek aksidentohet me motor në malet e Librazhdit, transportohet me helikopter

Një turist çek është aksidentuar në përroin e Cirovës, në zonën malore të fshatit Rinas  të Librazhdit.

Ai po përshkonte me motorr rrugën malore mbi fshatin Rinas të Librazhdit, që lidhet me Shëngjergjin, së bashku me disa turistë të tjerë çek.

53-vjeçari i identifikuar si R.K, ka humbur kontrollin e motoçikletës dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në përroin e Cirovës.

“Rreth orës 19:00, një grup turistësh çekë, po përshkonin me motorr rrugën malore mbi fshatin Rinas të Librazhdit, që lidhet me Shëngjergjin. Njëri prej tyre shtetasi R.K, 53 vjeç, ka humbur kontrollin e motoçikletës dhe ka dalë nga rruga, duke rënë në përroin e Cirovës”.

Turistët kanë njoftuar në numrin 112, Sallën operative të Librazhdit dhe menjëherë  në drejtim të tyre është nisur një patrullë policie dhe autoambulanca.

Si pasojë e terrenit të vështirë, transportimi me autoambulancë ishte i pamundur dhe në këto kushte, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka komunikuar me Ministrinë e Shëndetësisë për të dërguar një helikopter.

Menjëherë helikopteri i Shëndetësisë është nisur në drejtim të vendit të ngjarjes duke bërë të mundur transportimin në kohë për në Spitalin Ushtarak të shtetasit çek, i cili kishte pësuar fraktura, në trup,  jashtë rrezikut për jetën.