U inaugurua nga Rama dhe Veliaj, ja gafa në emërtimin e shkollës 9-vjeçare

Ditën e djeshme u inaugurua shkolla 9-vjeçare ‘Servete Maçi’ nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj.

Por përtej inaugurimit dhe faktit që Tirana tashmë ka fituar një shkollë me kushte optimale vëmendjen e ka marrë një tjetër gjë, pikërisht emri i shkollës.

Faqja “Vërejtje dhe rregulla drejtshkrimore” ka bërë me dije me anë të një statusi në Facebook, se emri i shkollës në murin ballor është shkruar gabim

Kurse emri i shkollës duhet futur në thonjëza.

“Emërtimi i gabuar i një shkolle …

Ja edhe një shkollë e re 9-vjeçare, përurimi i së cilës u bë sot, më 16 shtator 2019, ditën e parë të vitit shkollor, me pjesëmarrjen edhe të kryeministrit Rama, kryebashkiakut Veliaj etj. Shkollë me të vërtetë e bukur, një investim me të vërtetë cilësor. Dhe kjo shkollë e re është shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi” në Tiranë.
Ajo që na shqetëson këtu është emërtimi me gabime i shkollës, gjë që shihet edhe në foton që kemi postuar. Në të ka dy gabime: viza lidhëse (-) dhe thonjëzat (“ ”).
Ka një rregull në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, që thotë: Shkruhen me vizë lidhëse në mes emërtimet e përvjetorëve dhe formimet e ngjashme me to, kur numërori shënohet me shifër: 100-vjetori i Pavarësisë; shkolla 9-vjeçare; 15-ditëshi i parë i shtatorit etj.
Po kështu, në “Rregullat e pikësimit të gjuhës shqipe”, Tiranë 2002, në paragrafin 152, thuhet: Në thonjëza vihen edhe emrat e përveçëm a togfjalëshat që emërtojnë rrugë, bulevarde, sheshe, stadiume, lagje, hotele, kinema, teatro, hidrocentrale, shkolla, shoqata etj. Për shembull: shkolla 9-vjeçare “Liria”, shkolla 9-vjeçare “Vasil Shanto”, shkolla 9-vjeçare “Dëshmorët e lirisë”, gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, gjimnazi “Qemal Stafa” etj.
Duke përfunduar, tërheqim vëmendjen se emërtimi i kësaj shkolle duhet të korrigjohet dhe të shkruhet kështu: SHKOLLA 9-VJEÇARE “SERVETE MAÇI”.

-Këshilluesi gjuhësor,”– shkruhet në status.