U vra në sy të fëmijëve, kush qëndron pas ekzekutimit të Armando Gjinit? Zbulohen shkaqet

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi në mes të qytetit i 48-vjeçarit, Armando Gjini, që njihej si pjesë e grupit të Met Kananit. Vrasja e tij dyshohet se është bërë nga njerëz me pagesë, profesionistë në këtë fushë.

Pista ku po hetohet është prishja e pazareve të drogës, por edhe marrëdhënieve me grupin e Meta Kananit, pasi viktima u arrestua si anëtar i bandës por më pas u lirua pas 72 orëve, lëvizje kjo që mund të ketë sjellur dyshime në grup.

Gjini u ekzekutua rreth orës 11:30 pranë katedrales së qytetit ku ai ishte në makinë se bashku me dy fëmijët e tij të mitur, ndërsa pak më larg ka qenë edhe bashkëshortja e tij, e cila ishte ndalur në një market, shkruan Shqiptarja.com

Pas vrasjes se Armando Gjini që njihej ndryshe  si Tonin Gjini, në Kodër-Rrëshen u gjet një makinë e djegur e cila dyshohet se është lënë nga autorët. Kujtojmë se Gjini i kishte shpëtuar një tjetër atentati 3 muaj më parë, ku në makinën e tij u gjet një pako eksplozivi që më pas u shpërthye nga xhenierët e policisë.

Gjini u arrestua vitin e kaluar në datë 12 maj të vitit të kaluar si pjesë e grupit të baronit të drogës, Met Kanani së bashku me 37 persona të tjerë, ndërsa u sekuestruan 8 ton drogë. Ushtria e Met Kananit shkëmbente kanabisin nga Shqipëria me heroinë nga Turqia. Por 4 ditë pas arrestimit Gjini u lirua nga burg, ndërsa hetimet e para janë pikërisht në këtë pistë.