TË FUNDIT

“Vajza vdiq”. Pas 36 vitesh mamaja kërkon të bijën: E di që është gjallë, ç’më thanë mjekët…

Sot në emisionin “Me Zemër të Hapur”, u rrëfye një nënë nga Vlora, e cila prej 36 vitesh mban në shpirtin e saj dilemën se vajza që solli në jetë në vitin 1983 është ende gjallë. Mirjana Myrtaj sot rrëfeu ngjarjen e hidhur, që e mundon prej kaq vitesh. Ishte viti 1983 kur ajo në 14 shtator solli në jetë vajzën.

Gruaja rrëfen se ka pasur një shtatzëni normale dhe pa probleme. Edhe procesi i lindjes ka shkuar normalisht. Kur fëmija doli në jetë, sipas gruas, nga të dhënat që ajo mori asokohe nga bluzat e bardha, ishte në peshë normale dhe gëzonte shëndet të plotë. Tre ditë pas lindjes zonja tregon se u njoftua nga mjekja se fëmija po humbet peshë, ndaj duhej të vendosej në inkubator.

Pas këtij vendimi, Mirjana rrëfen se nuk e kanë lejuar më që ta shohë fëmijën e saj dhe as ta ushqejë me gji. E vetmja mënyrë që kjo nënë kishte për ta parë ishte mbrëmja, ku ajo rrëfen se e shihte në fshehtësi e ndihmuar nga mamitë e maternitetit. Por një javë më pas gruaja do të merrte lajmin e hidhur, fëmija sipas mjekëve kishte ndërruar jetë.

“Shkova prapë të interesohesha, e kam parë 7 ditë rresht, nuk rrija dot pa e parë dhe shkoja te dhoma ku nënat e tjera u jepnin gjoks fëmijëve me shpresën se do ma jepnin. Një infermiere mu afrua dhe më tha “me ty do flasë doktori”. Ai mu afrua dhe më tha “Zonja juve ju ndërroi jetë fëmija”. Nuk kisha forcë të pyesja dhe të kërkoja shpjegime. Në darkë e kisha parë, në mëngjes nuk e gjeta më”, tregon gruaja.

Dhimbja për familjen ishte e madhe, asokohe gruaja rrëfen se ajo dhe bashkëshorti i saj nuk morën asnjë shpjegim rreth situatës, ajo madje sot nuk ka asnjë të dhënë, as kartelën e lindjes dhe as atë të vdekjes, ku shkruhet edhe arsyeja e ndarjes nga jeta të foshnjës. Nisur nga kjo dilemë, gruaja vjen sot nga Italia, ku jeton prej vitesh për të bërë një hap, që do ta çojë drejt zbardhjes së kësaj dileme.

Lidhur me këtë situatë emisioni “Me Zemër të Hapur” i është drejtuar zyrtarisht Maternitetit të Vlorës, për të siguruar kartelën e lindjes me të dhënat e fëmijës, si dhe atë të ndarjes nga jeta. Dokumente të rëndësishme, të cilat janë edhe një pikënisje e fortë për të zbuluar të vërtetën. Përgjigjja që emisioni mori nga Materniteti i Vlorës është se ka të dhëna për këtë ngjarje dhe se duhet autorizimi i gruas për të zbardhur më tej ngjarjen.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat