Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, ka reaguar pas mesazhit të ZVA dërguar mësuesve për të aplikuar vaksinën kundër Covid.
Në mesazhin e dërguar nga ZVA bëhej me dije se për të gjithë punonjësit e sistemit arsimor në sezonin e ri shkollor, vaksina është e detyrueshme, gjë e cila është kundërshtuar ditën e sotme Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar.
Duke e konsideruar një keqkuptim, në njoftim theksohet se procesi i vaksinimit është rekomandim i ekspertëve të shëndetësisë , ndërsa bëhet me dije se në asnjë moment nuk është i detyrueshëm aplikimi për asnjë punonjës mësimor apo staf ndihmës në Institucionet Arsimore
Reagimi:
Në lidhje me njoftimet e shpërndara ditën e sotme në disa portale, sa i takon vaksinimit me detyrim të punonjësve mësimorë dhe stafeve ndihmëse, sqarojmë se nuk ekziston asnjë vendim për vaksinim me detyrim.
Kemi të bëjmë me një keqinterpretim të kërkesave për informacion rutinë në zyrat dhe institucionet arsimore, për numrin e mësuesve të cilët janë duke vijuar procesin e vaksinimit me dozën e dytë.
Procesi i vaksinimit është rekomandim i ekspertëve të shëndetësisë për t’u mbrojtur nga COVID-19, por në asnjë rast nuk është i detyrueshëm për asnjë punonjës mësimor apo staf ndihmës në Institucionet Arsimore.

