Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka reaguar në lidhje me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur së fundmi në Durrës, ku një nënë e re humbi jetën pak ditë pas lindjes së fëmijës, si dhe një 20-vjeçar mbeti viktimë, pasi i shpërtheu goma e makinës, në vendin ku punonte. Në të dyja rastet familjarët pretendonin se ambulanca kishte shkuar me vonesë në vendngjarje. Kësisoj, Brataj i ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 tha se një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe se ambulanca nuk vonohet, përveç rasteve kur ka mbingarkesë.
“Nuk kam të dhëna sa i përket orës kur ka mbërritur ambulanca, megjithatë e gjej në çdo moment. Për 20-vjecarin që humbi jetën te gomisteria nuk është e vërtetë, 9-10 minuta pas thirrjes ka mbërritur ambulanca. Ka qenë gomë e madhe, me presion 2.3-2.4 ballë. Varet ku të kap, po të kapi trupin, organet e brendshme dhe fytyrën, normal që presioni është shumë i madhe dhe humbet jetën që në moment. Mesatarja e mbërritjes së ambulancave ka qenë 13.8 minuta në të gjithë Shqipërinë, jemi brenda standardeve. Ambulanca mund të ndodhë të vonohet, në raste kur ka mbingarkesë. Njeriu që ka një hall i duket minuti orë, por nuk na rezulton të kemi pasur vonesa. Kushdo që ka paqartësi, mund t’i drejtohet 127, sepse ne i verifikojmë”, tha ai.

