Vendet e BE-së njohin Guaido si president të Venezuelës

Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Spanja dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian e njohën zyrtarisht udhëheqësin e opozitës, Juan Guaido, si president të përkohshëm të Venezuelës.

Ky hap vjen pasi presidenti i sfiduar i Venezuelës, Nicolas Maduro, e refuzoi kërkesën e BE-së për të thirrur zgjedhje të parakohshme.

Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm muajin e kaluar dhe ka fituar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

Rusia, mbështetëse e Maduros, i akuzoi vendet e BE-së për ndërhyrje në çështjet e Venezuelës.

Me rritjen e presionit mbi Maduron për të dhënë dorëheqje, ai tha se nuk mund të përjashtojë mundësinë e luftës civile.

Në një intervistë televizive, Maduro e paralajmëroi presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se “do të largohet nga Shtëpia e Bardhë i njollosur me gjak, nëse ai ndërhyn ushtarakisht në krizë”.

Opozita në Venezuelë është ngritur kundër Maduros prejse ai është rizgjedhur president vitin e kaluar. Sipas opozitës, zgjedhjet kanë qenë jo legjitime, pasi Maduro i ka penguar disa kandidatë të garojnë – disa duke i burgosur.

Si udhëheqës i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Guaido thotë se kushtetuta i lejon atij të marrë pushtetin përkohësisht kur presidenti konsiderohet i paligjshëm./real-news.tv/