Venezuelë, Guaido fton qytetarët në protesta kundër Maduros

105453013_gettyimages-1091952556.jpg

Presidenti i përkohshëm i vetë-shpallur i Venezuelës Juan Guaido ka bërë thirrje dhjetëra mijëra mbështetësve të tij për t’u mobilizuar për demonstrata mbarëkombëtare.

Përkrahësit e opozitës venezuelane do të mbajnë disa tubime në mbarë vendin për të shfaqur mbështetje për liderin e tyre, Juan Guaido, dhe për të protestuar kundër presidentit Nicolas Maduro.

Ky mobilizim po bëhet me qëllim të rritjes së presionit kundër presidentit aktual pasi Uashingtoni vendosi ta njohë Guaidon si president të Venezuelës.

Kritikët e Maduros shpresojnë se veprime të ngjashme do të ndërmarrin edhe shtetet evropiane. Pritet që disa shtete të Bashkimit Evropian ta njohin Guaidon si president gjatë javës së ardhshme. Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Guaido ka kërkuar nga qytetarët që të dalin në rrugë dhe ta përkrahin atë.

Përndryshe, edhe Maduro do ta mbajë një tubim gjatë ditës së sotme për ta shënuar inaugurimin e ish-liderit socialist, Hugo Chavez. Venezuela po vazhdon të përballet me gjendje të rëndë ekonomike për shkak të inflacionit të lartë, rënies së prodhimit dhe largimit masiv të qytetarëve drejt vendeve tjera të Amerikës Latine./real-news.tv/

scroll to top