fbpx

Vetëm 2.5% e punonjësve shqiptarë investojnë në një pension privat

pension.jpg

Vetëm 2.5% e punonjësve shqiptarë investojnë sot për një pension privat shtesë.

Shifrat tregojnë se, megjithë rritjen e ndjeshme të numrit të kontribuuesve në vitet e fundit, brezat që janë sot aktivë në tregun e punës do të ngelen në masën dërrmuese të varur nga pensioni shtetëror.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në fund të muajit shtator rreth 30,700 shqiptarë ishin të regjistruar si kontribuues në skemat private të pensioneve. Në 5 vitet e fundit, numri i kontribuuesve është zgjeruar me 56% ose rreth 11 mijë individë. Megjithatë, ende sot kontribuesit në skemat e pensioneve private përbëjnë një pjesë të vogël të numrit aktiv të të punësuarve në ekonomi. Sipas INSTAT, në mesin e këtij viti Shqipëria kishte rreth 1.23 milionë të punësuar. Sipas këtyre shifrave, rezulton se vetëm 2.5% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve paguan kontribute për një pension shtesë.

Depërtimi i pensioneve private në forcën e punës në Shqipëri ngelet i ulët, qoftë edhe në raport me numrin e kontribuuesve në skemën e detyrueshme të pensioneve. Vetëm 4.1% e kontribuuesve të skemës së detyrueshme të sigurimeve shoqërore (sipas ISSH, për 6-mujorin 2020 numri mesatar i kontribuuesve ishte rreth 738 mijë) kontribuojnë paralelisht për një pension privat.

Edhe ata që janë të regjistruar në skemat private të pensioneve në shumicën dërrmuese investojnë shifra të vogla në to. Sipas statistikave të AMF-së, asetet neto e fondeve të pensioneve në fund të shtatorit 2020 ishin rreth 3.44 miliardë lekë ose 27.7 milionë euro. Pjesëtuar për numrin e përgjithshëm të kontribuuesve, kjo përkthehet në asete neto prej rreth 902 eurosh për çdo anëtar. Kjo do të thotë se përfitimet mesatare të akumuluara deri tani për anëtar janë mjaft të ulëta. Në një vend ku paga mesatare mujore llogaritet rreth 435 euro, mundësitë e të punësuarve për të kursyer dhe derdhur kontribute shtesë për pensione private janë të kufizuara.

Legjislacioni aktual i përjashton kontributet për pension privat nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në një kufi prej 200 mijë lekësh në vit nga punëmarrësi dhe 250 mijë lekë në vit nga punëdhënësi. Në projektligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, që është në proces miratimi, propozohet që përjashtimi për kontributet e paguara nga punëmarrësi të rritet në 240 mijë lekë në vit, ndërsa shuma e zbritshme nga tatimet për kontributet e derdhura nga punëdhënësi do të ngelet në kufirin e 250 mijë lekëve në vit.

Megjithatë, një pjesë e mirë e kontribuuesve nuk janë të informuar për përfitimet fiskale ose nuk aplikojnë për to, për shkak të procedurave të nevojshme burokratike. Për të përfituar rimbursimin e tatimit është dorëzimi i deklaratës vjetore të të ardhurave, që vetëm një numër shumë i vogël tatimpaguesish e plotësojnë.

AMF-ja kishte propozuar që pensionet private, në momentin e përfitimit, të tatoheshin vetëm për kthimin nga investimi, por jo për shumën e derdhur nga kontribuesi. Ky propozim nuk është pranuar nga qeveria dhe nuk është reflektuar në projektligj. Kjo nënkupton se pensionet private do të tatohen të plota, në masën e parashikuar nga ligji për tatimin mbi të ardhurat personale. Aktualisht, shkalla tatimore e parashikuar për këtë kategori të ardhurash është 15%. /Monitor

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303