VIDEO E PLOTË / Burri i Ministres së Ramës godet me grusht zyrtarin e Vetëvendosjes

Burri i ministres së Arsimit Besa Shahini, Dardan Molliqaj ka sulmuar fizikisht mbrëmjen e djeshme zyrtarin e Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi. Të dy kandidatët për deputetë, Haki Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Dardan Molliqaj nga koalicioni PSD-AAK, ishin të ftuar në emisionin “Pressing”. Gjatë emisionit ata ishin tensionuar disa herë, por që nervozizmin e madh e nxorën menjëherë pasi dolën nga studioja televizive.

“Kam qenë duke dal nga korridori i televizionit dhe Dardani me shoqëruesin e tij erdhën përmbrapa dhe u kacafytëm dhe donin të më godisnin. Ka hyrë Rexhep Hoti dhe më pas ndodhi një situatë e pakëndshme (kapje prej fyti). Më pas më goditi në këmbë. Ishte një situatë jo e mirë”, -ka thënë Abazi.

Incidentin e ka konfirmuar edhe drejtuesi i emisionit “Pressing”, Leonard Kerquki. Për shkak të këtij incidenti, ai tha se nuk do të mund ta vazhdojë emisionin.

“E kishim planifikuar ta vazhdonim pjesën e dytë të emisionit me dy analistët, Jusuf Thaçi dhe Rron Gjinovçit, në fakt gjatë ndërprerjes të shkurtër prej 2-3 minutave ka ndodhur një incident fizik. Z. Haki Abazi thotë se është sulmuar prej Dardan Molliqajt dhe prej shoqëruesit të tij, meqenëse nuk mundëm të flasim me Dardanin na mbetët që të themi këtë dhe të insistojmë që t’i shikojmë inçizimet, video e kamerave të sigurisë për të parë se çfarë ka ndodhur. Më vjen keq për këtë që ka ndodhur, nuk ka qenë asnjëherë qëllimi i këtij emisioni që të vijnë deri në këto situata të tilla”, ka thënë Kerquki.

Ndërsa Molliqaj ka mohuar të ketë ndodhur sulm jashtë studios televizive.

“Asgjë nuk ndodhi jashtë studios, përveç një debati me pak tensione që ishte vazhdimësi e debatit publik. Unë nuk i kam problem debatet televizive dhe ndjehem shumë komod t’i mbroj bindjet e mia. Nuk fshihem asnjëherë. Secilin veprim timin politik jam në gjendje ta arsyetoj deri në fund. Nuk e kam problem asnjë akuzë e sulm për veprimet e mia politike. Ankesa e vajtimet nuk mund t’i fshehin humbjet në nivel argumentesh nëpër debate televizive”, ka deklaruar Molliqaj.

PRESSING

PRESSING

Geplaatst door T7 op Woensdag 11 september 2019