E hëna ishte ditë e shënuar për kryeministren serbe, Ana Bërnabiç. Së bashku me homologun e saj maqedonas, Zoran Zaev, u nis drejt pikës kufitare Preshevë-Tabanoc për të njoftuar nisjen e kontrollit të përbashkët të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në këtë vendkalimin kufitar.
Por shefja e qeverisë serbe nuk e dinte që atje e priste një surprizë. Gazetari shqiptar nga Maqedonia, Furkan Saliu, nuk kishte harruar deklaratën nënçmuese dhe ofenduese të saj për shqiptarët, ku ajo u ishte referuar si “njerëz të ardhur nga mali.”
Përballjen me të ai e kishte mirëmenduar. Sapo mbërriti, gazetari i veshur me një bluzë të bardhë në pjesën e përparme të së cilës ishin stapmuar fotografitë e disa prej personazheve shqiptarë më të njohur në botë, mes tyre Dua Lipa, Rita Ora, Inva Mula, Shën Tereza, Bebe Rexha, etj dhe me mbishkrimin “Sapo dolëm nga mali” u shfaq para këmbëve të Bërnabiç.
Gazetari Saliu i drejtoi edhe një pyetje se përse nuk hapet pika kufitare Preshevë-Llojan.
Në përgjigje, kryeministrja serbe tha se po e shqyrtojnë hapjen e asaj pike, por do të shohin në të ardhmen.
“Në këtë moment nuk kam përgjigje konkrete” tha ajo.

