Vjosa Osmani: Bisedimet me Serbinë, ndryshe nga e kaluara…

vkose.jpg

Vjosa Osmani, kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministres, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se opozita e deritashme duhet të formojë qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 tetorit për ta ndryshuar gjendjen në vend. Në intervistën për VOA, Osmani tha se lëvizja Vetëvendosje e sheh si partner të padiskutueshëm në qeverinë e ardhshme, e cila sipas saj, sfidat që kanë të bëjnë me bisedimet me Serbinë do t’i trajtojë ndryshe nga e kaluara, duke ruajtur partneritetin me aleatët e Kosovës.

Zonja Osmani, a do të garojë LDK-ja përfundimisht e vetme në zgjedhje?

Tani kjo ka qenë një preferencë e anëtarëve të LDK-së që përfaqësohen në këshillin e përgjithshëm. Megjithatë, ne besojmë që ndryshimi i madh në këtë vend arrihet nëpërmjet bashkëpunimit, prandaj edhe sot në këshillin e përgjithshëm kemi marrë dy vendime të rëndësishme. Hapi i parë është që unanimisht kemi vendosur që të mbyllim çdo mundësi bashkëpunimi me Partinë Demokratike, për arsye të shumta që i kemi përmendur përgjatë viteve dhe besoj nuk kemi nevojë t’i përsërisim sepse arsyet i dinë edhe ata që janë përtej politikës, i ka kuptuar secili qytetar dhe e dyta; kemi vendosur që ta autorizojmë kryetarin së bashku me mua dhe nënkryetarin e partisë, që të bisedojmë për koalicione parazgjedhore. Në radhë të parë siç e dini, interesimin e kemi të bashkëpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje sepse ka një kohë sidomos shkaku i bashkëpunimit tonë në parlament, që jemi të bindur që opozita e tanishme duhet të jetë qeveria e ardhshme, në mënyrë që të arrijmë në esencë dhe në mënyrë efektive që të ç’kapim shtetin nga niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit, që është parakusht për të qenë të suksesshëm pastaj në secilën fushë tjetër të zhvillimit, qoftë ai zhvillimi ekonomik, qoftë investimi në sektor siç janë arsimi dhe shëndetësia dhe që duhet të prioritizohen, qoftë për evropianizimin e Kosovës, pra hapjen e Kosovës dhe suksesin e Kosovës në rrugën e integrimit euro atlantik jo vetëm në retorikë por edhe në veprime konkrete. Pra, ne e kemi ftuar Vetëvendosjen që të na bashkohen në këtë proces të ndryshimit historik që po e pret Republikën e Kosovës. Megjithatë, po ashtu ka pasur vendim unanim në këshillin e përgjithshëm që qeveria patjetër duhet të drejtohet nga LDK-ja, jo vetëm shkaku i përvojës në qeverisje, por edhe për shumë arsye të tjera të cilat i kemi shtjelluar sot në këshillin e përgjithshëm.

 

Bashkëpunimi mund të ndodhë vetëm nëse ka respekt reciprok, vetëm nëse ka qëllime të sinqerta dhe unë shpresoj shumë që ashtu siç e kemi dëshmuar këto dy qëllime edhe sot në këshillin e përgjithshëm por edhe në kontakte që i ka pasur kryetari Mustafa më herët me kryetarin e Vetëvendosjes, ashtu presim që të dëshmoj edhe Lëvizja Vetëvendosje, pra të dëshmojë edhe në vepër jo vetëm në fjalë. Në çdo rrethanë, ne jemi të bindur që LDK-ja është fituese e zgjedhjeve të ardhshme, që së bashku do të shkruajmë një epokë të re të historisë së Kosovës, të një historie më të ndritshme ku qytetarët do ta gjejnë shpresën por edhe perspektivën e tyre dhe nuk do ta shohin atë vetëm jashtë vendit e të shohin se si të ikin nga ky vend. Tash të shohim. Kanë mbetur edhe tri ditë përafërsisht për të pasur diskutime të sinqerta, por pavarësisht epilogut, në çdo formulë ne e shohim LDK-në si fituese edhe nëse shkojmë si të vetëm. Por natyrisht edhe nëse shkojmë në koalicion edhe aty besoj që do të bëhet ndryshimi i madh. Një gjë duhet ta themi pa ekuivok dhe unë këtë e kam thënë edhe në të kaluarën ende pa qenë e nominuar për kryeministre nga partia ime, që e shohim Vetëvendosjen si partner të pa kontestueshëm në qeverinë e ardhshme dhe prandaj edhe ata duhet ta kenë këtë parasysh, gjithsesi duke respektuar faktin që LDK-ja është partia më e madhe në vend jo vetëm në sondazhe por e dëshmuar edhe në zgjedhjet e fundit, edhe me vota të asamblesë komunale edhe me komunat që i kemi fituar dhe jam e bindur që këtë do ta dëshmojmë sërish. Ka ardhur koha që veprimet tona të bashkëpunimit të shkojnë përtej fjalëve dhe të ndërmarrim veprime që janë konform pritjeve të qytetarëve. Në rrethana të tjera natyrisht ne si LDK shkojmë vet që ishte po ashtu disponim i madh i këshillit të përgjithshëm, i fitojmë zgjedhjet por pas fitores së zgjedhjeve, natyrisht që e ftojmë Vetëvendosjen që të qeverisin bashkë me ne.

A është diskutuar një mundësi që të qeverisni me rotacion me lëvizjen Vetëvendosje, siç është folur së fundmi për një gjë të tillë?

Këtë nuk e kemi diskutuar në Këshillin e Përgjithshëm, një mundësi të tillë, mirëpo në takimin me Vetëvendosjen ka pas diskutime për një qeveri, për një lloj marrëveshje katër plus katër, që do të nënkuptonte që një parti të qeverisë në katër vitet e para, por që ka bashkëpunim pastaj edhe për katër vitet e ardhshme të udhëhequra nga partia tjetër. Megjithatë, ky ka qenë vetëm propozim nuk është që ka një dakordim ose diskutim në detaje të propozimeve të tilla. Siç e thash, ne duhet të diskutojmë shumë më seriozisht dhe më intensivisht këto tri ditë që kanë mbetur para 30 gushtit dhe të vendosim përfundimisht në qoftë se koalicioni parazgjedhor është i mundshëm. Edhe nëse ajo nuk arrihet, unë nuk e shoh tragjike. Prapë se prapë në qeverinë e ardhshme i shoh këto dy parti gjithnjë nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike dhe besoj që do të japim një shembull të bashkëpunimit të sinqertë në qeveri ku partnerët nuk e luftojnë njëri tjetrin, ku partnerët nuk i ngulin thikën në shpinë partnerit, ku partnerët nuk i organizojnë mocion mosbesimi njëri tjetrit dhe ky do të jetë një shembull jashtëzakonisht i mirë ku do të kthehet ajo klima e mirëbesimit, jo vetëm brenda institucioneve por edhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sa i takon koalicioneve paszgjedhore, folët për lëvizjen Vetëvendosje që do të mbeteni të hapur nëse nuk arrihet koalicion parazgjedhor, por me partitë tjera me kënd mendoni që do të bashkëpunoni dhe gjithsesi a keni vija të kuqe të ndonjërës partie, e përmendët Partinë Demokratike, por diçka jashtë saj?

Tash një vendim sot e kemi marr, një vendim siç e thash unanim që as të mos diskutohet me PDK-në për tema të tilla pra një koalicion me PDK-në absolutisht nuk do të ndodh dhe është i pamundur për rrethana të shumta. Kurse sa i përket partive tjera, për derisa ne e shohim Vetëvendosjen si partner kryesorë pas zgjedhjeve bashkë me këtë partner ne do të ulemi bashkë dhe do të shohim se sa është e nevojshme të ftojmë edhe partitë tjera më të vogla në koalicionin tonë. Pra, nuk është që mund të përjashtohet një mundësi e tillë që për të përforcuar koalicionin meqenëse do të merremi me sfida jashtëzakonisht të mëdha, siç e thash që prioritet do të ketë luftimin e krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë, pastaj e kemi edhe sfidën e përmbylljes së dialogut final me Serbinë, sfidën e zhvillimit ekonomik sepse papunësia mbetet problem themelor me të cilin janë të preokupuar qytetarët e Kosovës dhe çështje tjera, këto janë tema që kërkojnë një qeveri stabile, një qeveri të fortë jo vetëm në numra por edhe në qëllimet dhe vizionet që i ka. Prandaj në qoftë se dy partnerët do ta shohin të nevojshme mund të ftojmë edhe ndonjë parti tjetër më të vogël për ta fuqizuar edhe më tej dhe për ta rritur unitetin brenda politik në Kosovë, që tema të tilla të kalohen më lehtë dhe me një unifikim më të madh të spektrit politik.

Zonja Osmani, tarifat ndaj mallrave serbe dhe bisedimet me Serbinë ishin problemet kryesore të qeverisë së kaluar dhe e presin edhe qeverinë e re. Nëse fitoni si do t’i trajtoni këto dy çështje?

Tani kur i shohim matjet që i bëjnë organizatat ndërkombëtare në opinion se çka vërtetë i preokupon qytetarët e Kosovës, asnjëherë nuk mund ta gjejmë çështjen e tarifës ose çështjen e dialogut. Gjithnjë vjen papunësia, vjen luftimi i krimit dhe korrupsionit, çështje siç është liberalizimi i vizave, pra lëvizja e lirë e qytetarëve dhe deri tek arsimi dhe shëndetësia. Diku vetëm 5 deri në 7 për qind të qytetarëve interesohen tek tema e dialogut. Prandaj, edhe unë vërtetë dua që nga sot të fillojë që të kalojë shumë më pak kohë te kjo temë. Ajo që dua të them është që LDK-ja do të gjejë zgjidhjen më të mirë për mbrojtjen e interesave shtetërore të Republikës së Kosovës. Që nuk do të merr vendime të cilat mund t’i sjellin LDK-së vota, por dëm Republikës së Kosovës dhe që assesi nuk do të lejomë që Kosova të ndjehet më e dobët në tavolinë me Serbinë. Përkundrazi, dialogu me Serbinë do të përmbyllet në interes të Kosovës, vetëm në qoftë se veprojmë me mençuri. Luftën me Serbinë asnjëherë nuk e kemi fituar me muskuj. E kemi fituar gjithnjë me mençuri, duke krijuar miq, duke ndërtuar miqësi me shtetet më të fuqishme në botë, të cilat na kanë ndihmuar ta mbrojmë popullin e Kosovës nga shfarosja dhe ta ndërtojmë Republikën e Kosovës. Tani, për të fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtare të shtetit tonë, ne duhet t’i kemi këta miq në krahun e djathtë dhe në krahun e majtë dhe të ecim bashkë me ta. E jo të shkatërrojmë miqësitë me këto shtete dhe t’i shohim ato si një dëm të vogël kolateral. Në fakt, miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe evropianizimi i Republikës së Kosovës, janë çështje ekzistenciale për Republikën tonë.

 

Nuk janë çështje që mund t’i lësh të rëndësisë së dytë apo të tretë. Janë ekzistenciale. E kemi ndërtuar këtë shtet bashke më ta dhe do ta zhvillojmë bashkë me ta. Ne absolutisht nuk e heqim tarifën pa u siguruar që Serbia do të fillojë ta respektojë Kosovën, do të ndërpresë fushatën e vet të çnjohjeve. Por, në të njëjtën kohë, ajo që e ka menduar LDK-ja dhe jemi duke e thënë tash e një vit, është që Serbia meriton reciprocitet të plotë. Dhe kur ju i dëgjoni njerëzit, përfshirë edhe ish kryeministrin (Ramush) Haradinaj, kur i dëgjoni duke thënë se masa e reciprocitetit është më e butë sesa tarifa prej 100 për qind, tregon që nuk kanë njohuri as elementare për këto masa ekonomike të cilat pastaj kanë efekt edhe në raportet tjera edhe në raportet politike. Sepse, reciprociteti i plotë, për cilindo që i njeh raportet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë, për cilindo që i njeh të gjitha barrierat jotarifore që i ka vendosur Serbia Kosovës, për cilindo që e di se çfarë bllokade kanë pasur dhe kanë bizneset tona, çfarë bllokada kanë pasur dhe kanë qytetarët tanë që lëvizin nëpërmjet kufirit Kosovë-Serbi, pritjet që i kanë dhe çdo problem tjetër që na ka shkaktuar Serbia, e sheh që në fakt masa e plotë e reciprocitetit është shumë më efektive, do të mund të argumentohej shumë më mirë para komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti shteteve që na përkrahin dhe në të njëjtën kohë do të ishte shumë më e ashpër në raport me Serbinë, sesa tarifa 100 për qind. Por, kjo nuk do të thotë që ne vijmë në pushtet dhe e heqim tarifën. Assesi. Ne do të merremi me tarifën në një mënyrë që Republika e Kosovës të fitojë nga kjo situatë dhe ju siguroj që do të kemi ide kreative, por mbi të gjitha, sic e thashë, më maturi, mençuri dhe me miqtë tanë. Dhe me miqtë tanë, do të marrim një vendim në interes të Kosovës.

Problemet, që i përmendët, si papunësia, varfëria e korrupsioni kanë qenë të vazhdueshme në Kosovë dhe qasja ndaj tyre ka shkaktuar, sipas matjeve të organizatave të ndryshme, shkallë të ultë të besimit të qytetarëve në institucionet e vendit. Si mendoni ta riktheni besimin e tyre?

Tani jo vetëm shkaku i gabimit të të tjerëve. Jo vetëm për shkak që qeveria e PAN-it me partnerët tjerë, kanë dëshmuar se nuk kanë mentalitet qeverisës se zhvillimor, por kanë mentalitet plaçkitës, në raport me Republikën e Kosovës, në raport me shtetin, në raport me buxhetin e shtetit, por po ashtu se kemi dëshmuar edhe përgjatë qeverisjes së LDK-së më herët, për këto 20 vite, që kemi largpamësinë, kemi vizionin dhe mbi të gjitha kemi kuadrot jo vetëm profesionale por dëshmuara edhe politikisht dhe me besimin e kredibilitetin qytetar, që ta udhëheqin këtë vend dhe ta drejtojnë në një rrugë më të mirë, jam e bindur se do të rikthehet jo vetëm primati i LDK-së, por do të rikthehet fokusi tek qytetari. Pra, përgjatë viteve, partitë që sidomos tash dy vitet e fundit ishin në pushtet arritën që Republikën e Kosovës ta portretizojnë në dokumentet e Bashkimit Evropian si shtet të kapur. Pra, kjo nuk është vetëm një retorikë opozitare që po e dëgjoni tani.

Është dokument i BE-së, ku Kosova cilësohet si shtet me elemente të kapjes për shkak të lidhjes së organeve më të larta në qeveri apo figurave, me elemente të krimit dhe korrupsionit. Dhe kur BE-ja e sheh si të tillë Kosovën, ne nuk mund të shohim progres në asnjë fushë. As në zhvillim ekonomik, as të lëvizja e lirë që është bllokuar pikërisht për shkak të këtyre arsyeve, e as investim në njerëzit tanë. Pra, nuk mund të shohim zhvillim përderisa përgjysmohet buxheti për arsim, përderisa universitete publike i ngjasojnë një lige të dytë ose të tretë të partive politike, derisa njerëzit më të papërgatitur të këtij vendi, bëhen brenda natës doktorë shkence dhe tentojnë t’i edukojnë gjeneratat e ardhshme, atëherë natyrisht as që mund të presim që të merremi seriozisht jashtë kufijve tanë, madje as në rajonin tonë. E lëre më në Bruksel Ëashington, Londër e Berlin. Pra, ka ardhë koha që qytetarët e Kosovës të krenohen me liderët që i përfaqësojnë ata dhe jo të turpërohen, siç ka ndodhur përgjatë këtyre dy viteve dhe përgjatë shumë viteve që ka qeverisur PDK. Do t’i japim fund me njerëzit më të mirë që i ka ky vend dhe ata jam shumë e lumtur dhe shumë krenare që e kanë gjetur shtëpinë e tyre politike në LDK.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303