TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri i Kosovës: Taksa ndaj mallrave serbe duhet të hiqet

Vendimi i qeverisë së Kosovës në nëntorin e vitit të kaluar, për vendosjen e taksës për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e ka arritur efektin e synuar. Madje dëmi i shkaktuar ndaj Serbisë për këtë periudhë është mbi 150 milionë euro, tha zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri thotë se me vendosjen e taksës Kosova i ka dhënë përgjigje të plotë Serbisë, se është shtet i pavarur dhe sovran.

Por, sipas tij tashmë taksa duhet të pezullohet në mënyrë që të mos dëmtohen raportet me Amerikën dhe BE-në.

“Unë mendoj që taksa e ka mbërritur efektin e saj meqë taksa e ka goditur ekonominë e Serbisë, kur ne po flasim dëmi i ekonomisë serbe është mbi 150 milionë euro dhe nëse Serbia ka bërë përpjekje që ta përdor buxhetin e Kosovës për të tërhequr njohje, por të korruptuar qeveri të ndryshme në botë. Unë mendoj që me këtë ne ia kemi dhënë një përgjigje të plotë Serbinë”, tha Hoxhaj.

“Por fakti që taksa po e lëndon raportet tona me Amerikën, po lëndon raportet tona me BE dhe po bllokon një proces siç është dialogu, i cili do të mund t’i shërbente Kosovës, është mirë që ta shohim se si të lëvizim përpara. Qëndrimi ynë është që taksa të pezullohet për një kohë për 120 ditë dhe kjo të jep mundësi arritjes së një marrëveshje finale. Nëse kjo nuk ndodh atëherë taksa do të duhej të rikthehet”.

Dialogu duhet të vazhdojë, thotë Hoxhaj, duke shtuar se Kosova duhet ta përmbyllë shtet-ndërtimin.

Ai insiston se bllokada e dialogut dhe dështimi i dialogut nuk është në interes të Kosovës.

Hoxhaj thotë se në korrik të këtij viti kosovarët do të marrin nga BE-ja vendimin pozitiv për liberalizimin e vizave./real-news.tv/

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat