Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, ka bërë një propozim për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Sipas medieve serbe, Koshtunica ka propozuar që çështja e Kosovës të zgjidhet sipas modelit të Hong Kongut.
Koshtunica mendon se ky model do të ishte kompromis, i cili do të përjashtonte të gjitha opsionet ekstreme dhe do të ishte i suksesshëm, i qëndrueshëm dhe funksional.
“Një autonomi e mbikëqyrur, për dallim nga pavarësia e mbikëqyrur, në pajtim me Kartën e OKB dhe Kushtetutën e Serbisë. Në këtë mënyrë do t’u mundësohej shqiptarëve në ‘Krahinën Autonome të Kosovës’, që vetë të qeverisin dhe të realizojnë interesat e tyre. Në anën tjetër Serbia, në pajtim me Kartën e OKB do të ruante sovranitetin dhe integritetin”, ka thënë ai.
Koshtunica është tërhequr nga jeta politike, dhe në paraqitjen e tij pas një kohe të gjatë, ka vlerësuar se “propozimi i tij për autonomi substanciale do të siguronte një zgjidhje të qëndrueshme për statusin e Kosovës”.

