12 operacionet e futbollit në merkato

Merkato e kësaj vere pritet të jetë me të vërtetë e nxehtë. Shumë skuadra kanë konfirmuar goditjet e para, ndërkohë që afrimet nuk do të mbyllen me kaq. Emra të rëndësishëm të futbollit Europian janë kthyer në profile të pëlqyeshme nga skuadra të tjera, që shikojnë tek ta njeriun ideal për të rikthyer tituj.

Eden Hazard, Paul Pogba, Gareth Bale dhe Christian Eriksen janë vetëm disa nga emrat që mund t’i shikojmë me një fanellë tjetër në sezonin e ardhshëm. E për këtë fakt, “bookmakers” të shumtë kanë nisur kuotimin e shanseve të tyre për të qëndruar apo për tu transferuar në një skuadër tjetër.

Adrien Rabiot

Francezi do të largohet nga PSG në fund të këtij sezoni, por ende nuk ka zbuluar skuadrën e tij të ardhshme. Real Madrid thuhet se ka shfaqur interes dhe sipas kompanive të basteve, veshja e Rabiot me fanellën “Los Blancos” kuotohet me 1.83. Pra shanset që francezi të jetë një madrilen në vitin e ardhshëm janë shumë të mëdha.

Christian Eriksen

Danezi është një tjetër futbollist që pëlqehet nga Reali i Madridit. Skuadra madrilene shikon te ai njeriun ideal për tu rikthyer te titujt. Mosha e tij është në favor të gjigantit të La Liga, ndërsa kartoni i tij vlerësohet me rreth 100 milionë euro. Kalimi i tij në “Santiago Bernabeu” kuotohet me 1.72.

Antoine Griezmann

Kampioni i botës ka paralajmëruar se do të largohet nga Atletico Madrid në fund të sezonit dhe ai i ardhshëm do e shikojë me një tjetër fanellë. Barcelona duket më e interesuara dhe këtë e pohojnë edhe bastet. Kalimi i tij te Katalanasit vlerësohet me një koeficent mjaft të ulët, 1.04. Gjithsesi, për kartonin e tij duhet të paguhen të paktën 120 milionë euro.

Eden Hazard

Eksperiencës së belgut te Chelsea duket se i ka ardhur fundi. Madje media të ndryshme pohojnë se tashmë 28 vjeçari ka arritur akordin me Realin e Madridit. Dhe për këtë fakt, kompanitë e basteve e japin kalimin e tij në Spanjë me kuotë mjaft të ulët, vetëm 1.20.

Gareth Bale

Pas Cristiano Ronaldos, uellsiani duket se është largimi i radhës i madh te Reali i Madridit. Mungesa e minutave dhe kërkesat e 29 vjeçarit e kanë kthyer në një njeri të padëshiruar në Spanjë dhe qëndrimi i tij kuotohet shumë lart. Të shikosh Bale sërish me fanellën e Realit kuotohet me 4.00, ndërsa kalimi i tij te Manchester United vlerësohet vetëm me 1.57.

Hakim Ziyech

Marokeni ka zhvilluar një sezon fantastik me Ajax dhe sirenat e merkatos kanë nisur të tingëllojnë fort. Bayern Munich duket se është më e interesuar dhe kalimi i 26 vjeçarit në Bundesliga kuotohet vetëm me 1.66.

Julian Brandt

Talenti gjerman është një tjetër futbollist që pëlqehet së tepërmi në merkaton e kësaj vere. As kualifikimi në Champions League nuk pritet ta bind 23 vjeçarin që të qëndroj te Bayer Leverkusen. Kështu, bookmakers shprehen të sigurtë se e ardhmja e tij është te Borussia Dortmund dhe veshja e tij si verdhezi jepet me 1.40.

Keylor Navas

Kostarikani i dha fund aventurës me Realin e Madridit dhe tashmë ka nisur puna për të gjetur skuadrën e radhës. Porto shihet si më favorite për të firmosur me 31 vjeçarin dhe kalimi i tij kuotohet me vetëm 1.36.

Marcelo

Tjetër “i tepërt” në Madrid. Braziliani ka humbur shumë nga shkëlqimi i viteve të fundit dhe ky duket se është i fundit me kampionët në fuqi të Europës. Juventus shihet si skuadra e tij e radhës dhe kalimi i tij te bardhezinjtë jepet me 1.66.

Matthijs de Ligt

Holandezi pritet të ndjek hapat e De Jong dhe të bashkohet me të te Barcelona. Dhe për këtë fakt mendojnë edhe bookmakersat. 1.11 është koeficenti që e dërgon në Spanjë, shifër e papërfillshme.

Tanguy Ndombele

Mesfushori i Lyon është një nga profilet më interesant në Europë. Forma e treguar në këtë sezon ka ndezur alarmin për të. PSG duket se është më e interesuar dhe 1.90 është koeficenti që kompanitë e basteve të shpërblejnë nëse ky operacion mbyllet me sukses.

Paul Pogba

Emri më i rëndësishëm në treg është padyshim ai i francezit të United. Me Manchesterin që nuk u kualifikua në Champions League, arkat kanë mbetur bosh dhe francezi është profili i duhur për t’i mbushur. Megjithatë edhe qëndrimi i tij në “Old Trafford” nuk mund përjashtohet, kështu që kompanitë e basteve kanë vënë në “kandar” dy kuota: 1.73 largimi dhe 2.1 qëndrimi.