Me ardhjen e pranverës, sasia e poleneve është aq e shumtë saqë mbush të gjithë ajrin. Por, përveç luleve, në këtë stinë fillojnë dhe shfaqen më së shumti edhe insektet, që gjithashtu mund të shkaktojnë sëmundje alergjike.

Simptomat e alergjisë janë shumë të bezdisshme
Njerëzit që vuajnë nga alergjia ankohen për teshtima të shpeshta, të herëpashershme, rrjedhje, kruajtje dhe skuqje të hundës, bllokim të tyre që kalon nga njëra anë në tjetrën. Por dhe skuqje, kruajtje, lotim sysh, nuk durojnë dot dritën (fotofobi) etj.
Po ashtu mund të kenë kollitje, gërhitje në gjoks, marrje fryme, sekrecione të pastra dhe që mezi nxirren, gjë që tregon se në sëmundje komprometohen edhe mushkëritë. Shenjat e mësipërme mund të shoqërohen me: dobësi trupore, dhembje koke, ankth etj.
Ilaçet dhe mënyrat për ta luftuar
Padyshim që ka shumë medikamente, por më e shëndetshme për trupin tuaj, por edhe për ambientin është që të përdorni produkte natyrale. Këshillohuni me mjekun specialist sa më parë, sepse kura me medikamente ndryshon nga individi në individ.
Mënyra më e mirë për të shmangur përkeqësimin e gjendjes së alergjisë është shmangia e kontaktit me shkaktarin kryesor të saj që janë polenet e luleve. Duke qenë se një gjë e tillë nuk është e mundur plotësisht, atëherë rekomandohet shmangia në maksimum e ekspozimit ndaj tyre, sidomos në orët e mëngjesit deri te dreka dhe ditët me erë kur prania e poleneve në ajër është më e lartë.
Rekomandohet që këta persona të lajnë shpesh duart, fytyrën dhe sidomos flokët, për të larguar polenet që mbeten në trup. Po ashtu duhet të shmangen shëtitjet dhe qëndrimet në mjedise që kanë lule, bari apo pemë.
Gjithashtu personat në fjalë duhet t’u shmangen aktiviteteve fizike siç janë vrapimet, shëtitjet me biçikletë ose çdo lloj aktiviteti tjetër sportiv në mjedise të hapura dhe me gjelbërim. Duhet pasur kujdes me ajrosjen e shtëpisë, dritaret nuk duhen hapur herët në mëngjes, pasi ai është momenti ku polenet janë më me dendësi në ajër. /real-news.tv

